Pacolli: Është i njëjti mentalitet dhe sjellje e policisë serbe si në vitet e 90-ta

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Policia e Serbisë kontrollon në detaje pjesëmarrësit e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” Organizata të shumta si dhe media nga Kosova sot janë ndaluar në pikën kufitare në Merdare dhe janë duke u kontrolluar në detaje duke përfshirë edhe posterët e festivalit.

Lidhur me këtë ka reaguar zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai duke e dënuar sjelljen e policisë kufitare tha se ky është i njëjti mentalitet si në vitet e 90-ta.

“Dënoj fuqishëm sjelljen e policisë kufitare serbe ndaj pjesëmarrësve nga Kosova në festivalin “Mirëdita, Dobar dan”! aktivitet që kërkon pajtimin nga 2 vendet. Është i njëjti mentalitet dhe sjellje e policisë serbe si në vitet ’90”, ka shkruar Pacolli në rrjetin social “Twitter”.

Festivali kulturor do të fillojë sot dhe do të zgjas deri më 1 qershor. “Mirëdita, dobar dan!”, ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014. Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme