Pacolli kërkon nga komisioni rekomandime për Interpol, deputetët thonë se është vonë

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 12:25 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli ka kërkuar nga Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rekomandime sa i përket lobimit për anëtarësim në Interpol, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e komisionit Vjosa Osmani tha se komisioni po insiston vazhdimisht për raportim të ministrit të Jashtëm kur është votimi në Interpol, mirëpo edhe përkundër insistimit ky i fundit nuk ka ardhur në raportim.

Osmani thotë se veç përmes një e-maili janë pyetur nga ministri në lidhje me rekomandimet e deputetëve, por që sipas saj, çdo veprim tash është vonë.

“Ne po insistojmë që ta kemi ministrin e Punëve të Jashtme në komision sidomos tash kur Serbia është angazhuar për tërheqje të njohjeve të Kosovës. Tash pak ditë para se me u votuar në Interpol na ka dërguar një e-mail ku thotë se cilat janë rekomandimet e juaja, tash është vonë për shkak se deri tash është dashtë me u kryer lobimi dhe nuk ka më kohë”, tha ajo.

Komisioni gjithashtu ka diskutuar për angazhimin e një eksperti për Strategjinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërparlamentar, angazhimin e ekspertëve për grupet punuese si dhe Zgjerimi i listës ekzistuese të ekspertëve.

Osmani tha se është e rëndësishme që  të zgjidhet dhe të votohet më shpejt eksperti për Strategjinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërparlamentar.

“Ne kemi një listë që është ë njëjta nga viti 2008, disa nga emrat kanë vazhduar me profesione tjera megjithatë ka ekspert që janë angazhuar ndërkohë nga organizata për projekte dhe çështje tjera. Lista mund të jetë e gjatë sa dëshirojmë ne”.

“Tre emrat që po i propozoj unë janë: Qerim Qerimi profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënies Ndërkombëtare; Kushtrim Istrefi profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënies Ndërkombëtare; Donike Qerimi profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Këtë strategji duhet ta miratojmë në fillim të dhjetorit. Nëse nuk jemi për zgjerim të listës mund të zgjedhim prej listës së vjetër”.

“Emrat që do të kontaktohen për ekspert për Strategjinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërparlamentar janë Qerim Qerimi, Dren Doli dhe Blerim Reka”.

Deputeti i Nismës Elmi Reçica ka propozuar që të gjithë emrat e propozuar të votohen përnjëherë dhe jo veçmas.

“Nuk është punë për ngutë me u vendos sot, mund ta lëmë për të premten. Ta shtyjmë dhe të mos vendosim tash”.

Bashkëpartiaku i Reçicës, deputeti Zafir Berisha propozoi edhe Granit Jeminin, i cili u votua nga komisioni që të futet në listë, mirëpo më vonë u heq nga lista me kërkesë të Glak Konjufcës për shkak që nuk i përket kësaj lëmie.

Ata kanë folur edhe për Ligjin për diasporën ku Konjufca, tha se në bisedim me njerëzit nga diaspora shumica prej tyre janë shprehur kundër një kanali të pavarur për diasporën

“Sipas tyre një televizion i ri për diasporën i shkëput ata nga atdheu, sepse ata kanë nevojë me ditë dhe me mësuar për Kosovën dhe historinë e saj. Janë të rëndësishme bisedimet me ta sepse ne nuk i dimë nevojat reale të tyre”, tha ai.

 

Të ngjashme