Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në UNESCO.
Pacolli ka thënë për Interaktiv të KTV-së se me pak ditë punë dhe me shumë takime që ka zhvilluar në SHBA ka siguruar vota të reja për anëtarësim në UNESCO.
Megjithatë, ai ka thënë se si parakusht janë dy ligje që duhet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës. Ato kanë të bëjnë me barazinë fetare.
“Siç e dini Kosova duhet të aplikojë në UNESCO edhe pse jemi goxha vonë. Ka kaluar një kohë e gjatë dhe është bërë pak. Unë kam studiuar edhe strategjinë edhe mënyrën e punës si do të bëhet sigurimi i votave. Jam i inkurajuar dhe them se do të kemi votat për UNESCO. Sot kishim një takim shumë të rëndësishëm me një shtet mik që e ka njohur Kosovën dhe në bisedat me të, praktikisht Kosovës i janë garantuar mes 15 dhe 20 vota për UNESCO”, ka thënë ai.