Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, priti në një takim pune në ambientet e MPJ-së, Përfaqësuesin Special të Kryeministres britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte njëherit Ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad, me ekipin e tij, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga MPJ, takimi ishte rezultat i diskutimeve të mëhershme në margjina të Samitit të Londrës, ndërsa u diskutua mbi mbarëvajtjen e deritanishme të dialogut të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe nismave të përbashkëta sa i përket viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimit të kësaj çështje në nivel ndërkombëtarë.
“Dëshiroj të falënderoj fuqishëm Mbretërinë e Bashkuar për organizimin fantastik të Samitit të Londrës dhe temave që u diskutuan aty. Shpresoj që klima pozitive që mbretëroi në Londër të vazhdojë të dominojë agjendat e secilës Qeveri dhe secilit vend të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë kryediplomati kosovar.
Në vazhdim Pacolli, i ka shprehur një mirënjohje të veçantë Lordit Ahmad dhe Qeverisë britanike për adresimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtarë, duke shprehur përkushtimin e plotë Institucional për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes dy vendeve në aktivitetet e tanishme dhe nismat e reja.