Ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh Zëvendëskryeministër, Behgjet Pacolli, i është drejtuar me një shkresë, Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, të cilit i ka thënë se Kosova është e inkurajuar me zhvillimin në lidhje me diskutimet më të rralla pranë Këshillit të Sigurimit për vendin tonë.
Me përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, Pacolli thotë se po fillon perspektiva e anëtarësimit në një të ardhme të shpejtë, të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Sekretarin e Përgjithshëm, Guterres, e informova që anëtarësimi në OKB është veçanërisht i mundshëm tani, për faktin se Serbia, ndonëse me vështirësi, së voni ka filluar të shfaqë sinjale të hershme, që është e interesuar të ecë përpara dhe të pajtohet me të vërtetën e afirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me Opinionin e 22 korrikut, 2010, me të cilin konfirmohet se shtetësia e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën publike ndërkombëtare”, ka thënë Pacolli në letrën drejtuar Guterresit.
Po ashtu, Pacolli thotë t’i ketë kërkuar Sekretarit Guterresi vëmendje të shtuar ndaj Opinionit të GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, Opinion i cili ka kuptimin e Njohjes Kolektive, dhe i cili është baza mbi të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka ftuar në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Pra nënkuptohet, se Rezoluta e Asamblesë së OKB-së, 64/298, e 9 Shtatorit, 2010, afirmoi fuqishëm shtetësinë tonë”, thotë Pacolli..
Në letër, Pacolli thotë të ketë theksuar po ashtu se Opinioni i GjND-së i ka mundësuar Serbisë të shohë këtë të vërtetë, veçanërisht në lidhje me atë se “qëndrimi i saj diplomatik ndaj shtetësisë sonë kërkohet që patjetër të ndryshojë”.
“Në qasjen time e informoj Sekretarin e Përgjithshëm, se tashmë me dialogun politik, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse, Ligjërisht, Ndërkombëtarisht Obligative, kemi ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavarura. Sekretarin Guterres e informova që Republika e Kosovës synon anëtarësimin në OKB, dhe për këtë qëllim ne jemi të gatshëm të investojmë në potencialin tonë për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së, në funksion të paqes dhe stabilitetit për të gjithë”, ka përfunduar ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.