Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Luksemburg me takimin e parë që ka zhvilluar me homologun e tij nga ky shtet, Ministrin e Jashtëm, Jean Asselborn.
Të dy udhëheqësit e diplomacive nga shtetet respektive e kanë vlerësuar të shkëlqyeshëm nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe në të gjitha fushat.
Në margjina të këtij takimi, Ministri i Jashtëm, Pacolli fillimisht e ka njoftuar nikoqirin e takimit me zhvillimet e fundit në nivel kombëtarë, në veçanti për punën dhe përkushtimin institucional në lidhje me proceset e integrimit evropian dhe implementimin e kritereve për liberalizimin e vizave, për të kaluar më pas në ato që ndërlidhen me avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht procesin e njohjeve dhe anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ai ka nënvizuar përpjekjet për rritjen e numrit të njohjeve, përderisa e ka vlerësuar kundër-produktive fushatën e Serbisë tek shtetet që e kanë njohur Kosovën.
Duke folur për anëtarësimin e vendit në Organizata Ndërkombëtare, Ministri i Jashtëm Pacolli ka thënë se “deri më tani Kosova është anëtarësuar në mbi 70 Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare”, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes nga Luksemburgu dhe duke shprehur synimin për anëtarësimin në INTERPOL brenda këtij viti.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, është shprehur i kënaqur me realizimin e takimit të parë me Zëvendëskryeministrin Pacolli, ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale dhe ka ofruar mbështetje për anëtarësim në Interpol dhe procese të tjera nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Njohja nga 5 vendet jo-njohëse të BE-së dhe procesi i liberalizimit të vizave kanë qenë tema të tjera të këtij takimi.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Ministri Pacolli ka thënë se “Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret”.
“Presim raport/njoftim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe aprovim nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian. Për këtë, kërkoj mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut për lëvizje të lire të qytetarëve tanë”, është shprehur ai. Rënia e numrit të azilkërkuesve është vlerësuar si pozitive në këtë drejtim.
Në fund, Ministri Pacolli ftoi palën luksemburgase që të investojë në Kosovë dhe të ndajë përvojën e zhvillimit në sektorin privat.
“Mbështetja e deritanishme me mbi 80 milion Euro tregon që Luksemburgu është partner i vërtetë”, ka thënë ai.
Pas takimit të dy ministrat mbajtën edhe një konferencë për media.