Arritja e marrëveshjes politike ndërmjet Partisë Social Demokrate (SPD) dhe Partisë Kristian Demokrate (CDU), për formimin e Qeverisë së re dhe e cila i dha fund ngërçit politik gati gjashtëmujor është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për stabilitetin politik në shtetin gjerman, atë të BE-së, Evropës Juglindore, por edhe për shtetin dhe qytetarët Kosovës.
Kështu ka vlerësuar zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Kosova ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe të gjithanshëm me shtetin gjerman në të gjitha fushat dhe ne presim, që ta rrisim dhe t’i forcojmë edhe më tej themelet e këtij bashkëpunimi me Qeverinë e re”, citohet të ketë thënë Pacolli, në një komunikatë shtypi të MPJ-së.
Sipas Pacollit, roli dhe kontributi gjerman, jo vetëm në procesin e shtet-ndërtimit dhe integrimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, por në të gjitha vendet e Evropës Juglindore ka qenë i pazëvendësueshëm në stabilitetin politik, sigurinë, integrimin, zhvillimin ekonomik dhe procesin e pajtimit.
“Kosova e sheh Gjermaninë si një shtet mik, aleat dhe partner dhe në këtë frymë do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmën. Besoj, që do të kem një vizitë të shpejtë në Gjermani për t’i dhënë shtytje shtesë dhe sinergji të reja këtij partneriteti”, është shprehur kryediplomati kosovar Pacolli.
“Një urë lidhëse e fuqishme në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona padyshim mbetet edhe diaspora jonë, e cila është e integruar mirë dhe mjaft aktive në jetën publike dhe institucionale”, ka theksuar Pacolli.