Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli ka përkujtuar viktimat e masakrës së kryer nga forcat serbe 23 vjet më parë në Reçak.
Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se 15 janari i vitit 1999 ishte ditë zie për fshatarët e Reçakut ku forcat gjenocidale serbe të Millosheviqit vranë mbi 45 njerëz të pafajshëm dhe terrorizuan të gjithë banorët tjerë të fshatit.
“Kjo masakër, e cila konsiderohet si një nga krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, ishte arsyeja e ndërhyrjes së NATO-s që përshpejtoi çlirimin e Kosovës. Lavdi viktimave dhe heroizmit të banorëve të Reçakut”, shkruan ai.
Më 15 janar 1999, banorët e Reçakut të Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.
Atë ditë në këtë fshat, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Presidenti i SHBA-së Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës.