Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur vendimin e Tribunalit të Hagës për ta dënuar Ratko Mlladiqin për gjenocid dhe krime të luftës, shkruan në komunikatën për media nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
“Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mirëpritën vendimin e Tribunalit të Hagës i cili e dënoi me burgi mtë përjetshëm ‘Kasapin e Ballkanit’, Ratko Mlladiqin, për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Pacolli.
“Kjo është një ditë emocionale, me kujtime të hidhura, por që rezultoi me një drejtësi paqësore për boshnjakët, dhe jo vetëm. Sot, të gjithë, përfshirë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, bashkëndjejnë dhimbjen me nënat dhe të afërmit e viktimave të luftës në Bosnje e Hercegovinë. Mbi të gjitha, shpresojmë që akte të tilla të mos përsëriten më kurrë në rajonin tonë dhe për këtë duhet të punojmë bashkërisht, të merren përgjegjësitë e të bëmave nga e kaluara, e të tejkalohen dallimet për një të ardhme paqësore dhe të civilizuar”.
“Me këtë rast, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me deklaratën e fundit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili në vend se të kërkojë falje për krimet brutale, që ishin rezultat i direktivave politike nga Beogradi, tenton të bëj demagogji dhe ta relativizojë një çështje kaq të ndjeshme për të gjithë popujt e rajonit, që kanë pësuar nga luftërat e fundit”.
“Duam të ritheksojmë edhe njëherë se deklarata të tilla të papërgjegjshme cenojnë seriozisht ardhmërinë paqësore të rajonit, pjesë e të cilit jemi të gjithë, ndërsa një diskurs i tillë i nacionalist do duhej t’i takonte të kaluarës sonë të hidhur”.