Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë një deklaratë në lidhje me moslejimin e hyrjes së karateistëve të Kombëtares së Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë.
“Akti i bllokimit të karateistëve të Kombëtares së Republikës së Kosovës në kufirin serbo-kosovar në Merdar, të cilët ishin nisur për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të karatesë në Novi Sad është një akt qyqar dhe i dëshpëruar i Serbisë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
“Veprimi i tillë i autoriteteve serbe është shkelje e rëndë e çdo Konvente Ndërkombëtare, përdhosje e çdo parimi dhe vlere europiane dhe dëshmi diametralisht e kundërt me qëllimin deklarativ për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve”.
MPJ sqaron se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i kishte njoftuar disa muaj më parë autoritetet serbe në lidhje me këtë udhëtim të Kombëtares së Kosovës dhe arsyetimet se ata nuk kanë qenë të njoftuar me kohë nuk është i qëndrueshëm.
“Shtetësia kosovare ekziston dhe është pranuar ndërkombëtarisht dhe Serbia duhet të jetë në dijeni se Federatat Botërore Sportive kanë rregulla të forta për shtetet që pengojnë pjesëmarrjen e sportistëve në aktivitete të ndryshme sepse sporti i shërben paqes dhe pajtimit mes popujve”, ka theksuar ministri i Jashtëm i Kosovës.
“Pak vite më parë, në rastin e Kampiones Botërore të Xhudo-s, Majlinda Kelmendit, pikërisht prej këtyre rregullave, Rusia pranoi pasaportën, flamurin, himnin e Kosovës. Ne, do t’i kërkojmë organizmave sportive ta përjashtojnë Serbinë”, theksohet në deklaratë.