Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në takimin që pati me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, ka thënë se kanë diskutuar për çështjen e Ekipit Negociator si dhe vendimin për taksën.
Pacolli deklaroi në adresimin për media në Berlin se Ekipi Negociator do të jetë në mbështetje të plotë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit të cilët do të punojnë në arritjen e një marrëveshje e cila pritet të përmbyllet gjatë këtij viti, njofton Klan Kosova.
”Parlamenti ynë ka caktuar një grup dialogues që do të jetë në mbështetje të plotë të presidentit Thaçi i cili do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, që besoj se do të kryhet këtë vit ku do të kemi paqe me Serbinë”.
”Kjo e mundëson integrimin e mëtejshëm të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Serbia në bazë të kësaj marrëveshje duhet ta njeh përgjithmonë Kosovën”.
Veç kësaj Behgjet Pacolli pohoi se taksa e vënë ndaj mallrave të Serbisë, nuk është vendim ndëshkues por është sqarim për Serbinë që Kosova është shtet i pavarur dhe nuk negocion me askënd për statutin e saj, njofton Klan Kosova.
”Sa i përket masave që dikush i quan ndëshkuese, janë masa që ne kemi dhënë që cdo kush duhet të kuptojë që në pjesën Jugore të Serbisë, është një shtet që e ka shpallur Pavarësinë e saj dhe është shtet sovran. Kosova asnjëherë nuk do të diskutojë me askënd për statutin e saj”.
”Është diçka e duhur ku duhet të angazhohemi. Ne kemi marr çdo kund premtime, kemi përmbushur 95 kriteret për këtë qëllim. Urime Kosovës na u tha atëherë për përmbushjen e të gjitha kushteve, dhe për këtë arsye edhe neve presim që shteteve të veçanta që kanë premtuar t’i mbajnë këto premtime do të ishte e duhur dhe e nevojshme që shumë shpejt të arrihej liberalizimi i vizave”.