Ai gjatë qëndrimit në Sofje do të zhvillojë disa takime.
Takimi i parë do të jetë me homologen e tij, Ekaterina Zaharieva, njëherazi zëvendëskryeministre, në mjediset e ministrisë së jashtme, ku pas një bisede kokë më kokë, do të zhvillohet takimi i dy delegacioneve.
Më pas, vizita e kryediplomatit, Behgjet Pacolli, do të vijojë me takime të tjera në Parlamentin bullgar, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Krasimir Karachanov, si dhe adresimin e Forumit dypalësh të biznesit organizuar nga odat ekonomike të dy vendeve.
“Bullgaria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe vizita ka synim nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sofjes, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu temë e bisedës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Bullgaria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Ajo është mbrojtëse e flaktë e integrimit të Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtarë.