Në kuadër të organizimit të brendshëm të Aleancës Kosova e Re, presidenti i partisë, Behgjet Pacolli ka vizituar sot Gjilanin, ku është takuar me strukturat e partisë në këtë qytet.
Behgjet Pacolli në fjalën e tij hyrëse, i falënderoi të pranishmit dhe i inkurajoi ata që të angazhohen fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve të Aleancës Kosova e Re në këtë qytet.
I pranishëm në këtë takim të degës ishte edhe koordinatori i AKR-së nga qendra, Vesel Makolli, koordinatorja e Forumit të Gruas në AKR, Mirlindë Gashi, koordinatori i degës së AKR-së, në degën e Gjilanit, Ismet Hajdini, kryetari i degës së AKR-së në Kamenicë, Fatmir Matoshi dhe shumë aktivistë të tjerë të AKR-së.
Duke folur për situatën e përgjithshme në Kosovë, numri një i AKR-së ka thënë se gjendja ekonomike në vend është në gjendje të mjerueshme. Ai kritikoi pushtetin aktual, duke thënë se ky i fundit është i fokusuar në interesa personale dhe klanore, e jo ato të qytetarit.
“Unë e kam vëzhguar situatën fare mirë, kam qenë në bashkëqeverisje dhe jam vërtetuar se aty ku ne mendojmë se bëhet punë për qytetarin, nuk bëhet. Përfaqësuesit e pushtetit merren më shumë me punësimin e familjarëve dhe shokëve të tyre. Ne i kemi dëgjuar edhe bisedat e klanit “Pronto”, përmes të cilave mund të shihni se si mbahet peng Kosova” ka thënë Pacolli, duke e përmendur edhe pezullimin e liberalizimit të vizave, duke thënë se kjo çështje do të duhej të përfundonte shumë më parë.
“AKR është parti liberal demokratike, ku secili është i barabartë me tjetrin, kjo është e garantuar me statut të AKR-së”, ka thënë Pacolli. Ai po ashtu theksoi se konsekuencat e papërgjegjësisë së pushtetarëve janë duke i paguar qytetarët.
“Perspektivë ekonomike nuk ka fare, duhet të ketë kriter, projektet nuk implementohen vetvetiu, shikoni ligjet dhe do t’i shihni keqpërdorimet që bëhen, është shprehur numri një i AKR-së, duke thënë se, sot të rinjtë dalin dhe bredhin rrugëve me diplomë në xhep dhe në fund të ditës kthehen në shtëpi të pa punë dhe të zhgënjyer.
Numri një i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se nën qeverisjen e AKR-së, Gjilani do të shndërrohet në qendër punësimi dhe zhvillimi.
Në takim këtë takim foli edhe koordinatori i AKR-së në nivel qendror, Vesel Makolli, i cili i përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i përgëzoi ata për punën e bërë në këtë degë.
Makolli foli për prioritetet e partisë dhe për ristrukturimin e saj në nivel të Kosovës, ai deklaroi se për çdo ditë me qindra anëtarë po i bashkohen AKR-së, duke i përkrahur synimet e partisë për implementimin e plan programit të saj në tërë Kosovën.
Të pranishmit i përshëndeti edhe koordinatorja e Forumit të Gruas në AKR, Mirlindë Gashi e cila foli për nevojën e përkrahjes dhe fuqizimit të gruas në shoqërinë kosovare.
Përveç takimit me strukturat e partisë, Presidenti Pacolli takoi edhe disa aktivistë gjilanas me të cilët diskutoi për mundësitë e inkuadrimit së tyre në Aleancën Kosova e Re.