Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se deri tani nuk kanë marrë asgjë zyrtare nga përfaqësitë diplomatike lidhur me tërheqjen e njohje nga Surinami, megjithëse nuk ka përjashtuar një mundësi të tillë.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli në një prononcim për Telegrafin.
“Deri sot ne nuk kemi asnjë shenjë se ky shtet ka tërhequr njohjen, çka është shumë e mundur por ne dhe përfaqësitë tona diplomatike nuk kanë marrë asgjë”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ndryshe, ditë më parë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq në një konferencë për media ka thënë se shteti i Surinamit ka tërheqë njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Por, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se njohja ndërkombëtare nuk mund të tërhiqet, por me propagandë të tillë Serbia do të mundë të ndikojë negativisht në sigurimin e njohjeve tjera për shtetin e Kosovës.