Ngritja e statusit të Republikës së Kosovës nga ai i tanishëm si vëzhgues në atë të asocuar do të jetë një lajm i mirë për vendin, Institucionet, qytetarët dhe rrugëtimin e gjithmbarshëm të integrimit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.
Kështu ka vlerësuar kryediplomati Kosovar, Behgjet Pacolli, në punimet e Konferencës së Frankofonisë, që po mbahet në Jerevan të Armenisë.
“Në sesionin ministror të 84 vendeve anëtare të kësaj organizate, u konfirmua kërkesa e Kosovës për avancimin e statusit të Kosovës, nga anëtarë vëzhgues në atë të asocuar, që është status i rangut të lartë. Ditën e enjte pritet vetëm konfirmimi”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.
Në vazhdim të adresimit të tij para homologëve të shteteve anëtare, numri dy i Qeverisë ka shprehur përkushtimin dhe vullnetin e vendit tonë në lidhje me rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit me këtë Organizatë, përderisa ka kërkuar mbështetje dhe i ka falënderuar të pranishmit për qasjen konstruktive të kësaj Organizate në përgjithësi dhe vendeve anëtare në veçanti.
“Në fjalën time përpara ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Frankofonisë shpreha përkushtimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për të avancuar statusin tonë në këtë organizatë të rëndësishme. Jam optimist, që në mbyllje të Samitit, Kosova do të marrë statusin e anëtarit të asocuar dhe do të vazhdojë faktorizimin e vet. Vendeve anëtare të Frankofonisë u kërkova mbështetjen dhe i falënderova për konstruktivitetin e trajtimit të çështjes së Kosovës. Kosova do të marrë vendin e merituar për të dhënë kontributin e vet për paqen dhe stabilitetin rajonal e botëror”, është shprehur ministri i jashtëm Pacolli.