Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq ka thënë se BeH do të njohë njëanshëm pavarësinë e shpallur të Kosovës, një punë që kaherë është dashur ta bëjë, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova e mirëpret këtë deklaratë, e duke ditur se Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk e kanë njohur Kosovën, njohja nga BeH do të ishte hap për thellimin e fqinjësisë dhe sipas tij do të kontribuonte për stabilitetin rajonal.
Postimi i Pacollit në Facebook:
“Populli dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës mirëpresin dhe përshëndesin deklaratën konstruktive, vizionare dhe pozitive të anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, i cili kërkon njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Bosnje e Hercegovina.
Duke pasur parasysh që Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë shtetet e vetme ish jugosllave që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njohja nga Bosnje dhe Hercegovina do të ishte një hap natyral dhe i domosdoshëm për thellimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, që do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin rajonal, gjithnjë drejt integrimeve Euro Atlantike si shtete moderne dhe demokratike.
Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Ne kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë. Sa më shpejtë kuptohet realiteti i një Kosove si shtet sovran dhe i pavarur, aq më i madh dhe i hovshëm do të ishte progresi dhe prosperiteti i gjithë Evropës Juglindore”.