Aleanca Kosova e Re është duke u përgatitur për zgjedhjet parlamentare dhe nuk i ka në fokus zgjedhjet lokale.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, presidenti i kësaj partie Behgjet Pacolli, i cili ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për kryetar të Prishtinës.
“Jo nuk do të garoj, nuk është tani pjesë e strategjisë sonë. Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet parlamentare dhe do të garon në zgjedhjet parlamentare. AKR është e përgaditur për participimin masovik në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë ai.
I pari i AKR-së ka thënë se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, por sic ka thënë ai kanë vija të kuqe vetëm për individ të caktuar.
“Nuk ka vija të kuqe për parti, por për njerëzit. Do të punoj vetëm me njerëzit ku kam besimin e plotë se do të mund të bashkëpunoj në mënyrë që synimet e mia, synimet e AKR-së të arrihen dhe synimet janë ndryshimi komplet i drejtimit në të cilin është duke ecur Kosova”, ka thënë ai.
Pacolli edhe pse ka qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, madje ka ushtruar postin të zëvendëskryeministrit, akuzon partitë politike duke thënë se “janë marrë me vetveten dhe nuk e kanë pasur në fokus qytetarin”.
“Kosova duhet të ridrejtohet në drejtim tjetër dhe të udhëhiqet në drejtim tjetër me përgjegjësi, me respekt ndaj qytetarëve dhe të punohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, gjë që ka mbet anash dhe partitë politike janë marrë me vetveten, janë marrë me luksin e tyre dhe qytetarin pothuajse e kanë harruar dhe ka mbetur anash”, ka përfunduar Pacolli.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2014 partia e udhëhequr nga Behgjet Pacolli nuk arriti të kalojë pragun prej 5 për qind, duke mbetur kështu jashtë jetës institucionale.