Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook” i është përgjigjur kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilës, që dikur e kishte bashkëpunëtore të ngushtë.
Pacolli ka shkruar se zhvillimi ekonomik në Gjakovë është bllokuar, dhe investimet që ka pasur në plan t’i bëjë kanë dështuar. Pacolli nuk ia ka përmendur asnjëherë emrin Mimoza Kusarit, mirëpo tërthorazi ia ka faturu këto bllokada dhe dështime.
Postimi i plotë i Pacollit në “Facebook”:
Sot në shtëpinë time pata kënaqësinë që t’i pres në një takim ish-drejtorët e suksesshëm të fabrikave të Gjakovës. Trajtuam situatën mjaft dëshpëruese në të cilën gjendet sot Gjakova.
Siç e dini, unë nisa ta jap kontributin tim në Gjakovë, në të gjitha lamitë.
Fillova të ndërtoj fabrika që të kontribuoj në punësimin e njerëzve.
Fillova të mbështes kulturën e këtij qyteti. Të ndërtoj parqe e të kontribuoj aty ku kërkohej… Fatkeqësisht, për shkak të interesave personale të disa aktorëve politikë, misionin tim për Gjakovën e ndalën pandershëm.
I kam shkruar edhe Kryeministrit të Kosovës dhe kam kërkuar që të ndërmarrë masa që të lirohen hapësirat e fabrikave ku do të instaloheshin prodhimtari e të vazhdojnë investimet. Kjo mbeti në vesh të shurdhër e as që u përgjigjën në letrat e mia.
Statusi i Zonës së lirë ekonomike të Gjakovës e Mitrovicës praktikisht u eliminuan. Fabrika e kultivimit të kërpudhave që u desh të ndërtohet në Gjakovë, politikisht u ndal (kjo fabrikë tani po ndërtohet në një komunë tjetër për shkak të inateve politike).
Deri kur duhet të vuajë ky qytet, çfarë çmimi duhet të paguajnë ata. Sa nëna dhe motra u keqtrajtuan, sa nëna dhe motra presin të dinë për fatin e të dashurve të tyre, të rinj të papunë bredhin rrugëve, sa familje kanë problem të ushqehen e sa e sa të tjera.
Pse ndodh kjo mu në Gjakove. Ku janë autoritetet?