Pacolli përshëndet deklaratat e Komshiqit rreth Kosovës, thotë janë personale por edhe pragmatike

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëkryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se është për t’u përshëndetur qëndrimi transparent i anëtarit të presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, në lidhje me njohjen, ndonëse, thotë Pacolli, ky është qëndrim i tij individual, transmeton Koha.net.

Komshiq, duke theksuar se është mendim i tij personal, para disa ditësh ka thënë se nuk ka kurrfarë dileme se Kosova është shtet i pavarur. “Por duhet ta dini – ky është mendimi im privat”, tha ai.

Për deklaratat e tij, pati reagime të shumta. Njëherë reagoi Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e më pas edhe Sefik Xhaferoviq nga Partia për Aksion Demokratik.

Xhaferoviq, pas deklaratave të Komshiqit, tha se pa pasur një konsensus të të gjithë anëtarëve të presidencës, Bosnja nuk mund të ndryshojë qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës.

Pacolli thotë se Republika e Kosovës, qytetarët dhe lidershipi i saj, njohin faktin se ekziston një vullnet i fuqishëm politik i shumicës qytetare dhe konstituive në Bosnje dhe Hercegovinë në lidhje me nevojën për njohje dhe për partneritet mes dy vendeve.

“Sidoqoftë deri tani ky vullnet nuk po mund të përkthehet në qëndrim të brendshëm konstitucional dhe as në akt formal të njohjes së Bosnje e Hercegovinës për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Qëndrimi i Komshiqit është edhe pragmatik, thotë Pacolli, sepse aspirata e shumicës së vendeve dhe qytetarëve në Ballkanin Perëndimor është për integrim dhe bashkëpunim.

“Edhe pse kjo hera herës pengohet e ngadalësohet nga kundërpeshat destruktive politike e juridike nga ata që kanë pasur dhe ende kanë probleme me pranimin e realitetit të ri bashkëkohor”, ka përfunduar Pacolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme