Pacolli: S’ka pajtim pa ndëshkimin e Beogradit

Prishtinë | 01 Maj 2019 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, deklaroi se pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë i mundur pa ndëshkimin e Beogradit.

Duke shkruar për rrëfimet e ish-presidentes Jahjaga, Vasfije Krasniqit dhe Ilit Bytyqit para Kongresit amerikan, Pacolli tha se ne nuk ishim agresorë, por viktima, dhe viktimat kanë nevojë për drejtësi.

Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin Eliot Engel për marrjen e kësaj nisme dhe për të gjithë ata që dëshmuan në seancën dëgjimore.

Shkrimi i plotë i Behgjet Pacollit:

Dje në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën, kongresmeni dhe miku i Kosovës Eliot Engel mbajti një dëgjim në Kongresim Amerikan për Viktimat e Luftës në Kosovë.

Në një paraqitje shumë prekshme dhe të fuqishme Vasfije Krasniqi-Godman i tregoj botës për nevojën për drejtësi për më shumë se 20,000 gra dhe vajza që u përdhunuan gjatë luftës së Kosovës. Ilir Bytyqi paraqiti me fuqishëm rastin e vrasjes së Vëllezërve Bytyqi dhe si regjimi aktual i Beogradit po mbron ata që janë përfshirë në vrasje.

Drejtësia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur të adresojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë. Mosndëshkimi për Beogradin, për ushtarakët dhe politikanët që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në kryerjen ose planifikimin e krimeve të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës nuk do të bëjë pajtimin e mundur. Gratë e dhunuara, vëllezërit e vrarë, familjet e masakruara nuk morën drejtësi. Kjo duhet të jetë prioritet për bashkësinë ndërkombëtare që duhet adresuar.

Unë jam mirënjohës për Kongresmenin Engel për marrjen e kësaj nisme dhe për të gjithë ata që dëshmuan në seancën dëgjimore. Po ashtu një falënderim shkon edhe për presidenten Jahjaga për punën e saj.

Ngjarje të tilla të fuqishme e bëjnë botën të mos harrojë atë që na ka ndodhur. Ne nuk ishim agresorë, por viktima, dhe viktimat kanë nevojë për drejtësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme