Kryetari i AKR-së dhe biznesmeni, Behgjet Pacolli përmes një shkrimi të postuar në Facebook, ka njoftuar se rasti i hotelit “Grand”, do të trajtohet në Arbitrazhin Ndërkombëtar pranë Bankës Botërore në Uashington.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se ky rast udhëhiqet direkt nga qendra e Mabetex-it në Lugano, pasi që investimi mbi 5.1 milionë euro, ka ardhur nga kjo qendër.
Shkrimi i plotë i Pacollit:
Pse hoteli Grand në Arbitrazhin Ndërkombëtar
Të nderuar,
Siç keni mundur ta lexoni në media, rasti i hotelit Grand, do të trajtohet në Arbitrazhin Ndërkombëtar pranë Bankës Botërore në Uashington. Po, ashtu është. Ky rast udhëhiqet direkt nga qendra e Mabetexit në Lugano, pasi që investimi mbi 5.1 milion euro ka ardhur nga kjo qendër. Për mua si idealist I një Kosove civilizuese ku sundon ligji dhe e drejta, ky rast më shqetëson goxha shumë. Nuk pati rrugëzgjidhje tjetër këtu në Kosovë, përveq se të dërgohet lënda në arbitrazh ndërkombëtar. Më poshtë do ta kuptoni në detaje se nuk ka pasur rrugë tjetër.
Jam koshient se këto ditë do të dëgjoni spekulime se Behgjet Pacolli ka për qëllim ta dëmtojë buxhetin e Kosovës, dhe se do t`i marrë para shtetit tonë. E gjithë e kaluara ime dhe e ardhmja e kanë dëshmuar dhe do ta dëshmojnë se unë i kam dhënë, i jap dhe do t`i jap këtij shteti dhe se ky veprim ka vetëm një qëllim: t`i identifikojë të gjithë matrapazët që na kanë varfëruar dhe pamundësuar që të bëhen investime në republikën tonë.
Drejtësinë në këtë rast nuk e meriton vetëm kompania të cilën e kam krijuar unë. E meriton qytetari i Kosovës. Sepse një zëvendëskryeministër i saj ka denoncuar se I është kërkuar haraq. E meriton shteti ynë, sepse nuk mund të lejojmë që askush të sillet në këtë mënyrë ndaj një invesitori. E meriton ekonomia jonë dhe hoteli Grand.
Jam koshient se ka shumë thashetheme dhe mite por e vërteta është kjo dhe do të vërtetohet edhe në Uashington: Në këtë rast një palë është e dëmtuar që ka paguar mjetet ndërsa nga gjykatësit dhe grupet e korruptuara mafioze është e privuar nga e drejta e vet.
Për hirë të informimit të drejtë të opinionit, situate qëndron kështu: Paratë për blerjen e hotelit Grand janë paguar nga llogaria e Mabco Construction në Zvicërr dhe nëpërmjet bankës më të madhe zvicerrane UBS janë paguar për blerjen e 40 përqind të aksioneve të këtij objekti. Gjithashtu është dorëzuar projekti i detajizuar për investimet dhe për këto MABCO ofroi garancionet bankare për 39 milion euro investime, investim ky i cili përveqse do ti jepte shkëlqim Prishtinës, do të punësonte gjithashtu punësimin e qindra qytetarëve.
Punët është dashur të fillojnë me përpikmëri sipas kontratës me Spin OFF gjatë vitit 2007. Por, grupet mafioze në Kosovë të mbështetur edhe nga politika, nëpërmjet mekanizmave që i kishin instaluar vet, bllokuan qdo gjë, nga ana tjetër, duke inkasuar paratë që ishin paguar nga Mabetexi nëpërmjet rrugëve legale bankare. Këta mekanizma të mbështetur nga politika, ndikuan direkt edhe tek AKM e atëhershme që ajo të hesht dhe të mos lëkundet në drejtim të zgjidhjes së kësaj çështje.
Ndërmarrja e grupit Mabetex-Mabco Construction, në verën e 2007, duke mos pasur asnjë rrugëzgjidhje dhe as akses në ambientet e Grandit, hapi proces gjyqësor në Gjykatën themelore në Prishtinë, ku e mori verdiktin e drejtë të kësaj Gjykatë, që ti kthehet e drejta e pronësisë kësaj kompanie dhe të fillojnë punët.
Por, grupet e lartëpërmendura u ankuan në apel, dhe një gjykatës shumë mirë I njohur me emër dhe mbiemër, në mënyrë të pakuptueshme, duke mos përfillur asgjë, e kthen lëndën në shkallën e parë për rigjykim.
Asnjëherë kjo instancë nuk e rigjykoi këtë çështje. Bile, grupet e përmendura, kishin bërë edhe një delikt tjetër dhe në mënyrë ilegale kishin arritur që pronën ta kthejnë në emrin e tyre në kadastrin e komunës së Prishtinës, në të njëjtën kohë kur duhej të gjykohej kjo lëndë. Edhe përkundër shumë ankesave dhe insistimeve nëpërmjet rrugëve ligjore, kjo lëndë asnjëherë nuk u rigjykua.
Në vitin 2012, AKP avanson dhe i kërkon MABCO që të pregatisë një plan të ri të investimeve dhe në një afat të caktuar të prezentojë pos tjerash edhe planin e punëve, projektin dhe garancionin bankar mbi 20 milion euro, si parakusht që MABCO-s përfundimisht ti njihet statusi I blerësit legal të aksioneve dhe implementuesit të kontratës. Në kohë të duhur, Mabco pregatit krejt këtë dokumentacion dhe ia prezenton AKP ashtu siç e kishte kërkuar.
Në këtë kohë rasti mori përmasa aq të mëdha sa dikush(te unë, atëherë në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, në shtëpinë time) mori guximin që të kërkonte edhe ryshfet prej 3.6 milion euro, që çështja e Grandit të zgjidhej në mënyrë “legjitime” për kompaninë. Këtë unë e refuzova dhe e denoncova tek organet e EULEX-it. Ky denoncim mori një bujë mediatike dhe duke mos marrë parasysh asgjë që ishte bërë dhe thënë, AKP tërheq aksionet e Grandit në mënyrë arbitrare.
Mabco e Zvicrës për këtë ka informuar institucionet e Kosovës, nëpërmjet letrave zyrtare, Presidencën, Kryeministrinë, Kryetarin e Kuvendit, dhe Ministrinë e Drejtësisë, pa marrë asnjëherë përgjigje. Kompanisë, përfundimisht i ngeli vetëm drejtimi tek Gjykata Kushtetuese, e cila me një vendim kontravers, i jep të drejtë AKP-së, duke amnistuar të gjitha lëshimet e gjykatave kosovare, dhe duke mohuar të drejtën e qytetarëve mbi pronën.
Të gjitha këto veprime i bënë sepse ishin zotuar që Grandin nuk do tia lejojnë askujt përkundër faktit që paratë u paguan, plani zhvillimor u prezentua dhe ajo gërmadhë që vazhdon të ngelet midis Prishtinës do të shëndërrohej në një impuls zhvillimi për ekonominë. Pas gjithë këtyre zhvillimeve gjithë, Mabcos i mbeti, që të drejtën e vet ta kërkoi nëpër institucione kredibile ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën e Arbitrazhit pranë Bankës Botërore në Uashington.
Unë besoj fuqishëm që trajtimi i këtij rasti nga Arbitrazhi ndërkombëtar në Uashington i kontribuon Kosovës, ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit ligjor në vend. Instancat gjyqësore në Kosovë duhet ta kuptojnë se duhet të gjykojnë vetëm në bazë të ligjit dhe të së drejtës, pa marrë parasysh kush janë palët dhe të mos ndikohen nga grupet mafioze dhe politike sepse qytetarët e Kosovë pretendojnë se jetojnë na « një sistem demokratik ku sundon e drejta dhe ligji i njejtë për të gjithë.
Ne jetojmë sipas rregullave civilizuese perendimore andaj askush(as këta të fortit që abuzuan deri më tash) nuk mund të tallet me djersën e dikujt, dhe as me qytetarët në përgjithësi. Informoj të interesuarit dhe mediat, që në lidhje me gjithçka që ka ndodhur dhe ndodh me këtë rast, mund ti drejtohen avokatit Gazmend Nushi, në Prishtinë.
Unë, Behgjet Pacolli nuk jam palë në këtë proces, nuk kam kompetencë ekzekutive në MABCO Construction por jam njëri nga aksionarët.