Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar Ambasadorin e Sllovenisë të akredituar në Kosovë, Bojan Bertoncelj.
Si edhe nga takimet paraprake edhe në kuadër të këtij takimi, Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pranoi urimet e qeverisë sllovene nëpërmjet përfaqësuesit të saj diplomatik, me rastin e zgjedhjes si numri dy Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kreu i diplomacisë kosovare.
Gjatë këtij takimi, janë ri-konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve dhe dy popujve, me zotime dhe përkushtime të reja për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve në fusha të interesit të përbashkët.
Veç ri-theksimit të mbështetjes së fuqishme sllovene ndaj anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Komunitetin Ndërkombëtarë, avancimit të agjendës euro-atlantike; një vëmendje e posaçme i është kushtuar zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve respektive nëpërmjet organizimit të Forumeve Ekonomike në të dyja vendet.
Nevoja për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës ka qenë një temë tjetër, e cila është diskutuar gjithashtu.
“Është koha e fundit, që Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave, pasi që shtetasit e saj janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk po munden të lëvizin pa viza”, ka thënë Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli.