Pacolli tregon se si fuqizohet Trepça

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 16:42 | Nga

Në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2016, sot në Mitrovicë është mbajtur konferenca me temën “Ligji i Trepçës, mundësi e re apo sfidat për zhvillim ekonomik në Kosovë”, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në këtë konferencë, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli ka folur për ligjin e Trepçës dhe mënyrën e funksionalizimit të saj.

Pacolli fillimisht ka treguar për problemet të cilat e ngulfasin zhvillimin e Trepçës, duke përmendur këtu edhe manipulimet që janë bërë me pasuritë dhe asetet e saj.

“Sot në emër të Trepçës krijohen pasuri personale dhe partiake, aty nuk kanë përfituar punëtorët asnjëherë. Ne kemi kodra të koncentratit sot që janë vjedhur e stërvjedhur”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se ligji si i tillë nuk është valid pasi që aty nuk parashihet rimëkëmbja e gjigantit ekonomik.
“Me çfarë para do të investojë qeveria në Trepçë kur nuk ka as vullnet e as kredibilitet për ta rikthyer atë në funksion”, ka pyetur i pari i AKR-së. Duke folur për mënyrat e zgjidhjes së problemit të Trepçës, Pacolli ka treguar në pika konkrete se si mund të riorganizohet ky gjigant ekonomik.

Presidenti i AKR-së ka thënë se fillimisht duhet të bëhet përcaktimi i plotë aseteve thelbësore dhe jothelbësore të Trepçës. Për te realizuar konceptin e riorganizimit, ai ka thënë se duhet fillimisht të bëhet miratimi i bazës ligjore, përzgjedhja dhe emërimi i grupeve menaxhuese si dhe konstituimi i entitetit të ri me pronar – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë se duhet të bëhet vlerësimi i licencave, respektivisht vlerësimi i rezervave minerale në kuadër të licencave në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe vlera të deponohet si kapital themeltar i entitetit të ri. Pacolli ka thënë se entiteti i ri do të këtë grupin menaxhues profesional, përbërja e të cilit do të jetë me eksperitzë dhe përvojë të lëmisë, i përbërë nga vendorët dhe ndërkombëtarët.

Ai para qytetareve ka thënë se për ta zhvilluar Trepçën nevojitet përkushtim ndaj punës e pastaj të ketë edhe kreativitet dhe ide, ndërsa e ka akuzuar qeverinë vendore për mungesë vullneti.

Pacolli në fjalën e tij para të pranishmëve ka thënë se Kosova që nga paslufta ka humbur 17 vite dhe dhjetëra miliarda euro pa bërë asgjë me Trepçën, ndërsa ka shtuar se strategjia të cilën e ka poseduar Aleanca Kosova e Re, do ta rimëkëmbte këtë gjigant brenda dy vitesh.

15007699_10154571324575856_389608451_o

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme