Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka mirëpritur dhe përshëndetur lajmin për dy fituesit e Çmimit Nobel për Paqe, respektivisht për gruajën yazidi nga qyteti i Irakut verior, Sinjar, znj Nadia Murad, dhe doktorin kongolez të gjinekologjisë, Denis Mukwege.
“Dëshiroj t’i përcjellë urimet më të sinqerta dy për dy fituesit e Çmimit Nobel për Paqe, znj Nadia Murad dhe z. Denis Mukwege. Përpjekjet e tyre për ndaljen e përdorimit të dhunës seksuale në konflikte janë të njohura. Kjo tregon vëmendjen, që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i jap kësaj sfide, që është duke ndodhur në shumë rajone”, është shprehur kryediplomati kosovar.
“Kosova, për shkak të historisë së saj nga lufta, kur dhuna seksuale ishte përdorur sistematiksisht nga forcat ushtarake dhe paraushtarake shtetërore serbe me rreth 20 mijë gra kosovare të dhunuara dhe pa asnjë të dënuar nga kryerësit e këtyre krimeve, përkrah përpjekjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës seksuale në konfliktet botërore. Ne, do të vazhdojmë, që të luajmë një rol aktiv me faktorët relevant”, ka shtuar numri dy i Qeverisë.
Fituesit e Çmimit Nobel për Paqe, janë përzgjedhur për shkak të përpjekjeve të tyre për të ndalur përdorimin e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura.
Znj Murad, është një grua nga qyteti verior i Irakut, Sinjar, e cila ishte mbajtur si skllave seksi nga ISIS, ndërsa z. Mukwege, një doktor gjinekolog kongolez, i cili ka punuar gjatë për trajtimin e mijëra grave dhe vajzave, që janë prekur nga dhuna seksuale në Republikën Demokratike të Kongos.