Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, iu ka drejtuar qytetarëve të Kosovës duke ju thënë se sot ka pas nderin dhe privilegjin që në vazhdimësi të informoj shumicën e vendeve dhe institucioneve të botës, për hapin historik të Republikës së Kosovës, tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri bashkëkohore, sikurse të gjitha ushtritë e vendeve demokratike.
“Të njëjtat i kam informuar se tranzicioni nga Forca në Ushtri, është proces i kujdesshëm, transparent, e demokratik, përmes të cilit do të përfitojë jo vetëm Republika e Kosovës, por edhe siguria dhe stabiliteti në nivel rajonal, evropian dhe global”, deklaron Pacolli në rrjetin social Facebook.
Ndër tjerash ai tregoi se mesazhi i përcjellë nga ana e tij në të gjitha adresat relevante diplomatike kudo në botë, nënvizon që Republika e Kosovës synon t’i shërbejë dhe të jetë pjesëmarrëse aktive në nisma, zhvillime dhe projekte të sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
“Sigurisht se deri sot Serbia ka bërë një fushatë të egër dhe primitive kundër këtij momenti historik, dhe komunikimi im me të gjitha vendet, institucionet dhe adresat tjera diplomatike, mes tjerash, ka pasur si qëllim që të degradojë narracionin e rremë të Serbisë”, tha Pacolli.
Më tej ai tha se “E vërteta është një dhe e vetme, Ushtria është forcë e Republikës dhe qytetarëve dhe e cila reflekton karakterin kushtetues e divers të vendit. E njëjta ka qenë, është, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë strategjik me NATO-n, si ombrellë dhe hisedare e sigurisë në rajon”.
Ai shtoi se përderisa vendet tjera kanë ndjekur rrugëtimin e hyrjes në NATO, ne kemi përparësinë që ta kemi NATO-n brenda në Kosovë.
“ Tashmë nga sot, rrugëtimi ynë strategjik ka marrë një tjetër hov!Ushtria është atributi unik i shtetit tonë të ri”, tha Ministri Pacolli.