Në tubimin zgjedhor të mbajtur sot në Viti, Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se data 11 qershor është e rëndësisë vitale për Kosovën.
“Me 11 qershor dilni të gjithë dhe votoni, sepse vota juaj do te krijojë dy efekte të mëdha”, ka thënë Pacolli në tubimin e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, ku të pranishëm ishin mijëra qytetarë.
“Efekti i parë është se ne votojmë për një qeveri të ndershme, të brezit të ri, që me punë, me djersë, me dituri do ta dërgojë Kosovën përpara. Efekti tjetër i votës tuaj është dërgimi në shtëpi i njerëzve që e kanë zhvatur Kosovën”, ka theksuar i pari i AKR-së.
Ai ka shtuar se rrugëtimi për një Kosovë me perspektive më të mirë për rininë dhe të gjithë qytetarët, do të vazhdojë.
“Është momenti që të dilni dhe të votoni për Kosovën, votoni për të mirën e saj”, ka thënë Pacolli.
Presidenti i AKR-së, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e partisë së tij për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Avdullah Hoti, duke u zotuar se së bashku dhe të vendosur, do të punojnë për Kosovën dhe zhvillimin e saj ekonomik.
Ndërsa kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, tha se kontrata me qytetarë të cilën ai e prezanton në emër të koalicionit, është padyshim zgjidhja e vetme për problemet e qytetareve të Kosovës.
“Ne premtojmë rritje ekonomike, rritje të pagave dhe rritje të buxhetit, është zotim i yni dhe ne zotimet tona i përmbushim”, tha Hoti në tubimin zgjedhor të Vitisë.