Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në facebook mëngjesin e së dielës, i është përgjigjur deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili s’e mirëpriti platformën e dialogut që u miratua në Kuvendin e Kosovës, madje klasën politike në Kosovë, dje e quajti ‘bandë.
Pacolli i ka thënë Vuçiqit mos ta luajë rolin e molerit në lojën lindje-perëndim, por të kthehet në tavolinë të dialogut, ku ka thënë se po i presin me platformë.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiqi duhet ta kuptojë se Serbia nuk mund të bëhet pyke në marrëdhëniet strategjike dhe të përhershme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe duhet të ndalet me retorikat agresive ndaj Kosovës. Zotri Vuçiqi e din fare mirë se në bisedime shkohet me platformë të qartë. Serbia nuk duhet të luhatet e kurthuruar në lojën e saj mes lindjes dhe perëndimit por duhet të ketë një platformë për bisedimet e ardhshme”, ka shkruar Pacolli.
E siguroj Vuçiqin, shkruan tutje Pacolli, që asnjë paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë nuk mund të ndërtohet pa gjykimin e krimeve, prandaj në funksion të kësaj duhet të ketë një Gjykatë e cila do të merrej me përgjegjësinë kriminale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Rajoni duhet të pastrohet nga krimi dhe kriminelët që shëtisin të lirë gjithandej në Serbi e rajon. Në anën tjetër, Presidenti Vuçiq nuk ka pse të brengosët për komunitetin serb që jeton në Kosovë, sepse nuk ka komunitet në botë, që gëzon të drejta dhe siguri në nivelin që kanë qytetarët serb në Republikën e Kosovës. E për “gëlqerosje”… si theksoi ai, e ftoj që mos të luaj rolin e molerit në lojën lindje-perëndim, por të kthehet në tavolinë të dialogut ku po ju presim… me platformë!”, ka përfunduar Pacolli.