Sot, në 19-vjetorin e eksodit kosovar në Kukës, ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i dorëzohen nga Qarku i Kukësit dhe qyteti i njohur botërisht për mikpritjen, titujt “ Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.
“Nderimet jepen për kontributin e mëhershëm të z. Pacolli në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe vizionit për zhvleftësimin e kufijve midis shqiptarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, ka bërë të ditur Bashkia e Kukësit.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, do të qëndrojë në Kukës gjatë pjesës së parë të ditës, ku do të marrë dy mirënjohje nga qyteti dhe qarku i Kukës-Has-Tropojë, nominuar në vitin 2000 për çmimin Nobel për Paqen për mikpritjen që i dha bashkëkombësve të vet kosovarë, larguar nga tmerret e luftës.
16 prilli është dita kur ky qytet dhe qarku në tërësi përkujton eksodin e kosovarëve 19 vjet më parë, me aktivitete të ndryshme, ku marrin pjesë qytetarë nga të dy anët e kufirit tashmë të hapur dhe përfaqësues të institucioneve.
Bashkia e Kukësit i akordon zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli titullin “qytetar nderi i Kukësit”, për iniciativën e tij si president për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.
Pacolli është dekoruar më herët edhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Nder i Kombit”. Ai është qytetar Nderi i Korçës, Lezhës, dhe ka disa tituj akademikë nga universitete të vendit amë. Gjithashtu, ai ka tituj dhe nderime nga qytete dhe shtete të ShBA-së, Italisë, Filipineve, Perusë, etj.