Zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas fjalimit në Komisionin e jashtëm të Parlamentit Evropian, ka vijuar takimet me disa eurodeputetë.
Igor Soltes, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian shtroi drekë për nder të ministrit Pacolli. Më pas, ai pati një takim shumë të përzemërt me eurodeputeten, gjithashtu raportuese për Kosovën, Tanja Fajon, thuhet në një njoftim shtypi të MPJ-së
“Si do ecet përpara me liberalizimin e vizave, ishte tema kryesore në këtë takim. Votimi i demarkacionit, dialogu me Serbinë, zhvillimi ekonomik, ishin tema të tjera. Zonja Fajon shprehu vullnetin për ta mbështetur Kosovën në këtë fazë të zhvillimit, duke mbetur kështu një mike e madhe e Kosovës”.
Seria e takimeve vijoi me njërin nga drejtuesit e Grupit Parlamentar Popullor, zëvendëskryetarin Andrej Kovacev. “Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si ka bërë prej Pavarësisë deri në ditët e sotme, kur ajo udhëheq Bashkimin Europian”, i tha Andrej Kovacev, ministrit Pacolli.
Kryediplomati kosovar e falënderoi eurodeputetin “nga thellësia e zemrës për mbështetjen bullgare, megjithë pozicionin delikat ka ky vend në rajon”.
Biseda vijoi me tema të tjera që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe, votimin e demarkacionit në Parlament, marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e tjerë dhe trajtimin e pakicave në Kosovë.
Më pas, ministri Pacolli, takoi dy drejtues të Grupit liberal në Parlamentin Europian, Hans Van Baalen, Kryetar i grupit parlamentar të ALDE dhe Ilhan Kyuchyuk, zv.kryetar i këtij grupi. “Jemi krenarë që një pjesë e madhe e qeverisë së Kosovës janë liberalë”, tha kreu i këtij grupi aleat të AKR-së dhe mik i Kosovës.
Ai e pyeti ministrin Pacolli në mënyrë të veçantë për ekonominë, me theks eksportet e Kosovës, dhe shefi i diplomacisë kosovare, e njohu atë me disa prej karakteristikave kryesore të trendeve të sotme zhvillimore në vend. Ministri kërkoi ndihmën e bashkëbiseduesve kundrejt vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, duke marrë premtimin për angazhimin e tyre në këtë drejtim.
Diplomacia ekonomike është e rëndësishme krahas asaj tradicionale, sepse prodhon rezultate të prekshme prej qytetarëve dhe në këtë kuadër, ministri Pacolli takoi drejtues të një kompanie të madhe gjermane, të interesuar për të zhvendosur fabrikat e veta në Kosovë. Pacolli i inkurajoi ata të vinin në Kosovë, në një mjedis biznesi shumë pozitiv, përfundon njoftimi i MPJ-së.