Paga minimale në Kosovë, formalisht, rregullohet nga Ligji i Punës, i cili përcakton se “Qeveria e Kosovës, në fund të çdo viti kalendarik, duhet të caktojë pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social (KES)”. Kjo strukturë duket e drejtë në letër, por realiteti është krejt ndryshe. Pas miratimit të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Nivelin e Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, qeveria ka krijuar rrethana të reja që largojnë vendimmarrjen nga parimet e saj fillestare, duke anashkaluar mekanizmin që është krijuar për të mbrojtur interesat e punëtorëve dhe biznesit.
KES është një mekanizëm institucional i krijuar për promovimin e dialogut social ndërmjet aktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe ekonomikë. Ky këshill synon të përfaqësojë interesat e punëtorëve, sindikatave dhe komunitetit të bizneseve, duke shërbyer si një platformë për diskutimin dhe hartimin e politikave të punës dhe çështjeve socio-ekonomike në Kosovë. KES-i përbëhet nga 15 anëtarë, të cilët ndahen në mënyrë të baraspeshuar: 5 përfaqësues nga qeveria, 5 përfaqësues nga sindikatat, dhe 5 përfaqësues nga sektori i bizneseve. Kjo strukturë e balancuar ka për qëllim të sigurojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të ekuilibruar në procesin e dialogut social, duke mundësuar adresimin e interesave dhe shqetësimeve të të gjitha palëve të përfshira.
Sipas Ligjit të Punës, ky këshill duhet të propozojë pagën minimale bazuar në faktorë realë të jetesës, si kostoja e jetesës, shkalla e papunësisë, dhe gjendja në tregun e punës. Por çfarë ndodh kur qeveria vendos të injorojë këtë mekanizëm dhe të caktojë pagën minimale sipas dëshirës së saj? Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani.
Miratimi i këtij Ligji të ri për Pagën Minimale ka krijuar situatë tjetër, duke lejuar qeverinë të ndryshojë rregullat e lojës, ku tashmë paga minimale përcaktohet pa asnjë input të vërtetë nga ata që janë më të prekurit – punëtorët dhe bizneset. Kjo reflekton një qëndrim të qartë të qeverisë për të anashkaluar dialogun social dhe për të marrë vendime të njëanshme, pa marrë parasysh pasojat për qytetarët që duhet të mbijetojnë me ato qëndrime.
Një aspekt tjetër i këtij ligji është përjashtimi i veteranëve nga lidhja e përfitimeve të tyre me pagën minimale. Pra, ata që sakrifikuan më shumë për vendin, tani përjashtohen nga përfitimet që iu takojnë. Dhe po çfarë bën qeveria në këtë situatë? Deri tani, asgjë. Nuk ka asnjë lëvizje konkrete për të rritur shumën e beneficioneve për veteranët, edhe pse inflacioni dhe kostoja e jetesës vazhdojnë të rriten.
Dhe për të shtuar kripë mbi plagë, qeveria ka bërë të ditur me krenari se nga ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat personale, çdo punëtor me të hyra të tatueshme prej 500 euro do të përfitojë 6.80 euro shtesë. Po, e lexuat mirë, vetëm 6.80 euro shtesë! Ndërkohë, për katër vite qeverisje, inflacioni ka rritur çmimet e gjithçkaje, dhe kjo rritje qesharake në të ardhura është gjithçka që ofron qeveria.
A është kjo një zgjidhje për sfidat ekonomike të qytetarëve?
Sigurisht që jo!
(Autori ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Qeverinë Haradinaj)