“Pajtimi” transatlantik

Prishtinë | 20 Shk 2026 | 08:35 | Nga Gjon Culaj

“PAJTIMI” TRANSATLANTIK

Konferenca e Sigurisë në Mynih 2026

Në një kohë të pasigurisë globale, kur bota po përballet me kriza të njëpasnjëshme si agresioni rus në Ukrainë, rivaliteti strategjik me Kinën dhe pasiguritë në Lindjen e Mesme, Konferenca e Sigurisë në Mynih (MSC-2026) shfaqi pasqyrën e qartë të gjendjes dhe të sfidave në marrëdhëniet transatlantike. Aty ku dikur dominonte diskursi rreth unitetit të palëkundur mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, sot, debati është zhvendosur drejt ekuilibrit strategjik, konsolidimit të autonomisë evropiane dhe qëndrueshmërisë politiko-ushtarake të aleancës perëndimore.

Në këtë kontekst, raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nuk mund të reduktohen më si zakonisht në partneritetin tradicional në fushën e sigurisë, por po shihen më shumë si një test i aftësive dhe kapaciteteve politike, ekonomike dhe ushtarake për t’u përshtatur me një rend ndërkombëtar të fragmentuar dhe në ndryshim e sipër. Ndërsa Uashingtoni kërkon shpërndarje më të madhe të përgjgjësive dhe fokus më të madh në Indo-Paqësor, kryeqendrat evropiane po përballen me presionin dhe nevojën për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse, duke ruajtuar në të njejtën kohë bashkëpunimin dhe kohezionin brenda NATO-s.

MSC-2026, së paku edicioni i vitit të kaluar dhe ky i sapo përfunduari, treguan se kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet më thjesht një forum i deklaratave politike. Konferenca tashmë është kthyer në një arenë ku përplasen qasje dhe strategji për të ardhmen e rendit liberal, për multilateralizmin dhe për limitet e solidaritetit amerikan. Ndërmjet retorikës së unitetit në të kaluarën dhe realitetit të interesave kombëtare sot, marrëdhëniet transatlantike, me gjasë, po kalojnë nga një fazë e varësisë së njëanshme drejt një partneriteti më të balancuar dhe me role e përgjegjësi të reja. Shih për këtë, në këtë periudhë tranzicioni, dy pyetje janë të pashmangshme: A po krijohet një ekuilibër i ri transatlantik apo po shkojmë drejt “tensioneve” strukturore që mund ta sfidojne bashkëpunimin politiko – ushtarak të aleancës perëndimore?

Ekuilibri Strategjik dhe ruajtja e qëndrueshmërisë së Aleancës Perëndimore

Edicioni i 62-të i forumit treditor u zhvillua në një moment kur marrëdhëniet transatlantike po rishikohen me kërkesën amerikane për një rikonfigurim të thellë. Lufta në Ukrainë, debatet mbi ndarjen e barrës së sigurisë evropiane, autonomia strategjike evropiane dhe prioritetet globale të Shteteve të Bashkuara e vendosën raportin SHBA – Evropë sërish në qendër të diskutimeve. Fjalimet e Sekretarit amerikan, Marco Rubio, kancelarit gjerman Friedrich Merz, Presidentit francez, Emanuel Macron dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer reflektuan një “tension” mes ruajtjes së unitetit transatlantik dhe rritjes së autonomisë strategjike evropiane. Tri ditët e diskutimeve, pavarësisht faktit se Sekretari Rubio, në fjalimin e tij, mbajti një ton më të moderuar në krahasim me fjalimin e vititi të kaluar të Zëvendës presidentit, JD Vance, nxorën në pah dy vizione konkurruese për Perëndimin: njëri i bazuar në fuqinë dhe tjetri në vlera e parime. Sido që të jetë, Marco Rubio, në fjalimin e tij, e vuri theksin disa herë te rëndësia e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët. “Ne nuk kërkojmë të ndahemi, por të ringjallim një miqësi të vjetër dhe të ripërtërijmë qytetërimin më të madh në historinë e njerëzimit”, pohoi Rubio, duke theksuar lidhjet historike dhe kulturore me Evropën: “Për ne amerikanët, shtëpia jonë mund të jetë në Hemisferen Perëndimore, por ne gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës(CBS news, 14/02/2026). Përveç mesazhit të solidaritetit e bashkëpunimit, fjalimi i tij përmbante edhe kritikë të ashpër, sidomos në atë që Rubio e cilësoi si “iluzion i rrezikshëm”, bindjen se rendi liberal do ta tejkalonte logjikën tradicionale të sovranitetit dhe interesave kombëtare (PBS, 14/02/2026).

Rikalibrimi i politikës së jashtme amerikane, krejtësisht legjitim në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka qenë temë diskutimi që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, por kjo çështje mori intensitet të shtuar pas ndryshimeve gjeopolitike të viteve të fundit. Debatet në MSC-2026 janë një reflektim i qartë i këtyre përpjekjeve për balancimin e politikës së jashtme amerikane përballë sfidave të reja globale. Këtë ridimensionim të politikës se jashtme amerikane e paralajmëroi me shumë saktësi, qysh në vitin 2018, John J. Mearsheimer, në librin e tij të famshëm “The Great Delusion: Liberal Dreams and International Realities”: “Fuqitë e mëdha rrallë janë në gjendje të ndjekin një politikë të jashtme liberale në shkallë të plotë. Për sa kohë që dy ose më shumë prej tyre ekzistojnë në planet, ato nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i kushtojnë vëmendje të madhe pozicionit të tyre në ekuilibrin global të fuqisë dhe të veprojnë sipas diktateve të realizmit” (Mearsheimer, 2018).

Nga perspektiva realiste, Shtetet e Bashkuara si fuqia më e madhe globale po përballen me konkurrencë agresive shumëdimensionale dhe po kërkojnë rishpërndarje të burimeve në raport me zonat prioritare. Kjo qasje e administratës amerikane përputhet me argumentin e John J. Mearsheimer në “The Tragedy of Great Power Politics” (2001) se fuqitë e mëdha, në një sistem ndërkombëtar anarkik, veprojnë për të maksimizuar sigurinë dhe për të ruajtur primatin relativ, plotësisht në sinkron edhe me teoricientin e shquar, Hans Morgenthau (2006) sipas të cilit, interesi kombëtar, i përcaktuar në terma të fuqisë, është parimi themelor dhe udhëheqës i politikës së jashtme. Ky ri-orentim u reflektua qartë në qëndrimin amerikan edhe gjatë MSC-2026, ku u riafirmua kërkesa për rishikim të angazhimeve diplomatike dhe ushtarake, veçanërisht nëse ato përputhen ose jo me objektivat e reja strategjike të SHBA-së, në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paparashikueshëm.

Në MSC-2026, diskursi amerikan vuri theksin te domosdoshmëria që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj, duke përfshirë rritjen e shpenzimeve ushtarake. Ky qëndrim reflekton një qasje ku aleancat nuk konsiderohen tash e tutje vetëm në dimensionin politik ose historik, por vlerësohen përmes formulës së kostos dhe përfitimit strategjik. Një shembull i tillë është debati mbi shpenzimet mbrojtëse dhe ndarja e përgjegjësisë brenda NATO-s, ku SHBA-ja kërkon angazhim më të madh financiar dhe operativ nga vendet evropiane (Becker, 2019; Desmaele, 2024). Ndonëse Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, theksoi nevojën për një aleancë transatlantike të bashkuar dhe SHBA-të mbesin të përkushtuara e nuk po kërkojnë fundin e kësaj aleance, sërish, në mes rreshtave, dolën në pah disa “tensione” mbi mënyrën se si të ruhet boshti transatlantik dhe si të forcohen kapacitetet strategjike të Evropës (BBC, 14/02/2026). Këto tensione dhe diskutime rikthejnë në vëmendje një dilemë të njohur në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare: si të ruhet interesi kombëtar (realizëm), duke nxitur bashkëpunimin dhe institucionet që promovojnë  multilateralizmin dhe stabilitetin kolektiv (liberalizëm). Në “Theory of International Politics”, Keneth Waltz (1979) argumenton se shtetet veprojnë kryesisht konform interesit kombëtar dhe fuqisë së tyre relative, ndërsa liberalët si Robert Keohane dhe Joseph Nye, në “Power and Interdependence” (2012) theksojnë se institucionet, normat dhe ndërvarësia mund ta zbusin konkurrencën dhe të prodhojne rezultate pozitive për sigurinë kolektive. Këto pikëpamje ishin padyshim në qendër të vëmendjes dhe debateve në MSC-2026.

Përgjigja Evropiane ndaj kërkesave Amerikane

Në fjalimin e tij të hapjes në MSC-2026, kancelari gjerman Friedrich Merz, me një gjuhë diplomatike, shprehu shqetësimet e tij ndaj kërkesave amerikane, duke kërkuar një balancë të re strategjike mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai deklaroi se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla “nuk ekziston më në formën siç e njihnim” dhe paralajmëroi se “në epokën e rivalitetit të fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar vetëm. Të jesh pjesë e NATO-s nuk është vetëm avantazh konkurrues i Evropës, është gjithashtu avantazh konkurrues i Shteteve të Bashkuara’’ (The Guardian, 13/02/2026). Ky qëndrim i Merz lidhet me idenë se Evropa duhet të forcojë kapacitetet e veta strategjike dhe të jetë partner i barabartë, jo i subordinuar, që gjithsesi nënkupton ruajtjen e boshtit transatlantik përballë kërcënimeve bashkëkohore globale. Presidenti francez, Emmanuel Macron ishte në një linjë me kancelarin gjerman kur deklaroi në fjalimin e tij se “kjo është koha e duhur për guxim, kjo është koha e duhur për një Evropë të fortë dhe Evropa duhet të mësojë të bëhet një fuqi gjeopolitike” (Reuters, 13/02/2026)

Qëndrimet e Merz dhe Macron pasqyrojnë parimet kryesore të bashkëjetesës së realizmit dhe liberalizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku shtetet përpiqen të ruajnë fuqinë e tyre dhe njëkohësisht kërkojnë ruajtjen e aleancave strategjike. Nga kjo perspektivë, rivaliteti në rritje mes fuqive globale ka ngjallur një dinamikë të re evropiane drejt formësimit të një kornize strategjike më të pavarur, ku roli i SHBA-së mbetet thelbësor. Kjo qasje është në përputhje me idetë e Kenneth Waltz dhe me analizat e Stephen Walt mbi balancimin e fuqisë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, në një sistem ndërkombëtar anarkik (Waltz, 1979; Walt, 1987).

Edhe Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë diskutimit të tij, prezentoi një vizion që kombinon, në njërën anë, besnikërinë ndaj aleancës transatlantike dhe, në anën tjetër, domosdoshmërinë për një Evropë më të fortë dhe më unike (Reuters, 14/02/2026). Ky qëndrim i Starmer korrespondon me këndvështrimin liberal se bashkëpunimi nuk duhet të reduktohet në dominim, por të jetë një strukturë ku shtetet rrisin kapacitetet e tyre në mënyrë reciproke për të përmbushur objektiva të përbashketa (Keohane & Nye, 2012). Duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me BE-në dhe një “Evropë të fortë”, Starmer përpiqet të ruajë kohezionin brenda aleancës, duke integruar autonominë strategjike evropiane brenda aleancës veri-atlantike.

Implikimet dhe perspektivat

Diskursi i artikuluar nga përfaqësues të SHBA-së, vendeve të BE-së dhe NATO-s në raport me luftën në Ukrainë dhe konkurrencën strategjike me Kinën, pasqyron një rikonfigurim të prioriteteve të sigurisë globale. Nga perspektiva e mendimit realist, zhvillimet e fundit rikthyen teorinë e fuqisë si shtylla kryesore e sistemit ndërkombëtar. John J. Mearsheimer (2019) në veprën “Bound to fail: The rise and fall of the liberal international order”, e trajton rikthimin e politikës së fuqisë si të pashmangshme në një sistem ndërkombëtar multipolar. Sipas tij “qëllimi i fuqive të mëdha është të fitojnë pushtet në kurriz të kundërshtarëve të tyre, por nëse kjo nuk është e mundur, të sigurohen që balanca e pushtetit të mos ndryshojë kundër tyre”. Diskutimet në Mynih mbi forcimin e kapaciteteve ushtarake, forcimin e deterrencës nukleare dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, e përforcojnë këtë konstatim dhe janë në përputhje të plotë me politikën e Presidentit Trump “America First”.

Në kontekstin transatlantic, agresioni rus në Ukrainë ka shërbyer si katalizator për ristrukturimin e sigurisë evropiane. Sipas Gideon Rachman (The Age of the Strongman, 2022), konflikti në Ukrainë e ka rikthyer konceptin e luftës konvencionale në diskutime të kryeqendrave evropiane, duke përshpejtuar proceset e koordinimit politiko – strategjik dhe rrijtes së shpenzimeve ushtarake për mbrojtjen. Në këtë kuptim, forcimi i Bashkimit Evropian në dimensionin ushtarak, përmes koordinimit dhe rritjes së buxhetit për mbrojtje, dëshmon një përpjekje racionale dhe të nevojshme drejt autonomisë strategjike për ta ekuilibruar varësinë nga SHBA-të. Megjithatë, Daniel Fiott në “Strategic autonomy: towards ‘European sovereignty’ in defence”, argumenton se  autonomia strategjike evropiane mbetet e ndërvarur nga strukturat e NATO-s, por gjithsesi komplementare për qëllimet e përbashketa (Fiott, 2018).

S’do mend që bota po ndyshon me shpejtësi, po shtohen kërcënimet e reja dhe po rikthehen ato konvencionale. Për këtë arsye, afirmimi e aleancës kërkon besim dhe balancim racional mes logjikës realiste të fuqisë dhe arkitekturës liberale institucionale, që ka shërbyer si shtyllë e palëkundur e rendit euroatlantik e sinonim i botës së lirë për një kohë relativisht të gjatë. Në kontekstin e krizave aktuale gjeopolitike dhe rivalitetit strategjik të fuqive të mëdha, ruajtja e unitetit perëndimor është vendimtare edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perendimor. Nga perspektiva teorike, rëndësia e unitetit euroatlantik për Ballkanin Perëndimor shpjegohet me realizmin strukturor – balanca e fuqisë dhe deterenca si mbrojtje nga kërcenimet (Walt, 1987) dhe me rendin liberal i cili redukton mundësinë e konfliktit përmes normave dhe integrimit në institucione shumëpalëshe (Ikenberry, 2020). Në këtë kuadër, perspektiva euroatlantike mbetet alternativa e vetme për Kosovën si orientim strategjik. Uniteti SHBA-BE krijon fuqi transformuese në këtë proces, konsolidon institucionet e demokracinë, si dhe kufizon ndikimet destabilizuese nga aktorë të jashtëm, duke mundësuar që aspirata për integrim në BE dhe NATO të shndërrohet në perspektivë reale dhe të sigurt.

Të ngjashme