Sikur edhe vitin e kaluar, edhe kësaj vere, tokat e bukës në Komunën e Pejës nuk kanë dhënë rendimente të kënaqshme të grurit për sipërfaqe të hektarit. Madje, sivjet mesatarja për një hektar ka qenë për 300 kilogramë më pak se vitin e kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.
“As ne si institucion e as fermerët nuk jemi të kënaqur me sasinë e rendimenteve që janë grumbulluar prej 3.5 tonëve për hektar. Kjo sasi nuk e ka përmbushur pritjen tonë. Rendimentet nuk kanë qenë të kënaqshme në bazë të potencialeve që ekzistojnë dhe kushteve klimatike që i kemi në këtë rajon”, thotë drejtori i Bujqësisë, Mehdi Mulaj.
“Në dhjetë hektarët e tokës që kam mbjellë, mesatarja e rendimenteve ka qenë mbi 6 tonë grurë për hektarë. Te fermerët që nuk ka dhënë rendimente më të mëdha se mesatarja prej 3.5 tonë grurë për hektarë është në pyetje edhe kualiteti jo i mirë i farës së grurit së përdorur, që kryesisht është nga Serbia, të cilat janë fara të dobëta. Unë kam mbjellë fara italiane dhe kroate. Pastaj edhe toka ka qenë kualitative dhe i kemi ndejt gati me spërkatje kundër barojave dhe e kemi plehëruar. Kur mbillet toka dhe nuk tregohet kujdes gjatë tërë kohës, atëherë rendimentet janë përgjysmë më pak sesa që kishin mundur të jenë”, thotë fermeri nga Lutollava e Peës, Besim Kuqi.
Sivjet gjithsej kanë qenë të mbjella me grurë rreth 1 mijë e 500 hektarë grurë, që mesataren prej 3 mijë e 500 kilogramë, gjithsej janë grumbulluar mbi 5 milionë e 250 mijë kilogramë grurë. Kjo sasi e grurit e grumbulluar sivjet në tokat e Pejës është për një milion kilogram grurë më pak se vitin e kaluar, kur kanë qenë të mbjella rreth 150 hektarë tokë më shumë, dhe mesatarja e rendimentit vjet ka qenë rreth 3 mijë e 800 kilogramë për hektar. Sivjet mesatarisht rendimenti i grurit ka qenë i njëjtë i grumbulluar sikur vitet e kaluara, përveç në vitin 2016 kur rendimentet kanë qenë mbi pesë tonë për hektar, pasi atë vit edhe kishin mbizotëruar kushtet e mira klimatike për grurin.
Me këtë sasi të grurit që prodhohet në tokat e Pejës, nuk mund ushqehen as 1/3 e popullatës së kësaj komune, e cila sipas regjistrimit të fundit në vitin 2011 ka rreth 97 mijë banorë.