Përmes një deklarate, ushtria pakistaneze ka thënë se të dy palët kanë arritur një pajtueshmëri në bisedimet e zhvilluara në qytetin Rawalpindi.
“Të dyja palët janë pajtuar për formimin e shpejtë të grupeve punuese, të fokusuara kryesisht në siguri dhe në marrjen e masave që do t’iu ndihmonin të dyja palëve në zvogëlimin e dhunës nga duart e terroristëve”, është thënë në deklaratë.
Negociatat janë zhvilluar pasi Afganistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Pakistanit duke i kërkuar marrjen e masave kundër militantëve.
Pakistani akuzohet për strehim të grupeve militante, duke përfshirë talibët afganë dhe rrjetin Haqqani, i cili kryen sulme në Afganistan.
Islamabadi i hedh poshtë këto akuza.
Të dyja shtetet ndajnë kufirin 2,500 kilometra të njohur si Linja Durand, të cilin Pakistani e konsideron si kufi ndërkombëtar.
Afganistani në anën tjetër kundërshton kufirin e krijuar më 1893.