Pakistani nis largimin e masave të izolimit

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Pakistani ka lehtësuar masat e izolimit, pavarësisht se numri i rasteve të reja me koronavirus është duke u rritur.

Dyqanet dhe disa biznese të tjera nisën të rihapen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, si pjesë e njërës prej fazave të lehtësimit të masave.

Dyqanet e rrobave, këpucëve dhe tregjet e vogla janë hapur, por qendrat tregtare vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Të premten, në Pakistan u shënuan 2 mijë raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbi 27 mijë. Në këtë shtet po ashtu deri më tani nga sëmundja COVID-19 – që shkaktohet nga koronavirusi i ri – kanë humbur jetën afro 600 persona.

Komuniteti i biznesit në Pakistan ka mirëpritur vendimin për rihapjen e ekonomisë, duke thënë se ekonomia e shtetit nuk mund të mbyllet për një kohë të gjatë dhe se me këto lehtësime do të shpëtohen miliona vende pune.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan më herët gjatë javës ka thënë se shteti i tij është i varfër dhe nuk mund të qëndrojë i izoluar për një kohë të gjatë, prandaj ai ka thënë se qytetarët duhet të mbajnë distancë fizike në kohën kur po lehtësohen masat izoluese.

Ekonomia e Pakistanit tashmë ka marrë goditje nga koronavirusi, duke shënuar rënie të remitencave por edhe rënie të eksporteve.

Të ngjashme