Pakistani voton kundër hetimeve të OKB-së për krime lufte në Jemen, shpëton Arabia Saudite

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Pakistani, Rusia, Kina, Bahrejni dhe disa shtete tjera, anëtare të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, votuan të enjten për t’i ndërprerë hetimet e këtij organi rreth krimeve të luftës në Jemen, pavarësisht përpjekjeve të fuqive perëndimore për ta vazhduar mandatin e këtij misioni.

Me një shumicë të ngushtë votash, shtetet anëtare të organit të lartë të OKB-së votuan kundër rezolutës së udhëhequr nga Holanda për t’u dhënë edhe dy vjet hetuesve të pavarur për t’i vëzhguar shkeljet në konfliktin e Jemenit, shkruan Reuters.

Kjo ishte hera e parë në historinë 15-vjeçare të Këshillit për të Drejtat e Njeriut që një rezolutë u mposht.

Hetuesit e pavarur kanë thënë në të kaluarën se krime të mundshme lufte janë kryer nga të gjitha palët e konfliktit 7-vjeçar, i cili i ka vënë përballë koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelët Houthi, të lidhur me Iranin.

Grupet e aktivistëve për të drejtat e njeriut thonë se mbi 100.000 njerëz janë vrarë e katër milionë të tjerë janë zhvendosur gjatë luftës në Jemen, transmeton Gazeta Express.

Ambasadori i Holandës, Peter Bekker, tha se ky votim është një hap i madh prapa. “Nuk po mund të mos ndihem se ky këshill e ka lënë pa ndihmë popullin e Jemenit”, tha ai para delegatëve.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thanë këtë javë se Arabia Saudite ka lobuar fort kundër rezolutës së vendeve perëndimore. Ky shtet nuk është anëtar me të drejtë vote në këshill dhe delegacioni saudit nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë “Reuters” për koment.

Gjatë debatit, ambasadori i Bahrejnit, Yusuf Abdulkarim Bucheeri”, tha se grupi ndërkombëtar i hetuesve ka “kontribuar në përhapjen e dezinformatave rreth gjendjes në terren” në Jemen.

Votimi kundër rezolutës për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së hetuesve, i thirrur nga aleati i Arabisë Saudite, Bahrejni, u miratua nga 21 shtete, përfshirë Kinën, Pakistanin, Rusinë, Kubën, Venezuelën dhe Uzbekistanin. Rezolutën e paraqitur nga Holanda e përkrahën 18 shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën.

John Fisher nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Human Rights Watch”, tha se dështimi për vazhdimin e mandatit të hetuesve është njollë në historinë e Këshillit për të Drejtat e Njeriut.

“Duke votuar kundër këtij mandati shumë të nevojshëm, shumë shtete ua kanë kthyer shpinën viktimave, u përkulën para presionit nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët dhe e vendosën politikën para parimit”, tha ai.


Të ngjashme