Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe përkrahjen e AZHR Lindje, mbajtën konferencën informuese me bizneset e rajonit të Gjilanit.
Kjo konferencë është organizuar në kuadër të “Ditëve të Biznesit të Vogël 2016”, ku të pranishëm ishin: kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Financave, Avdullah Hoti, përfaqësues të ATK-së, Doganave të Kosovës, të KEDS/KESCO, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale dhe përfaqësues të shumtë të bizneseve të kësaj ane.
Në konferencë, të pranishmit u informuan për nismat dhe shërbimet që ofrohen nga institucionet e Kosovës, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe të të bërit biznes në Kosovë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalimin e saj, fillimisht bëri të ditur për mbështetjen e vazhdueshme të bizneseve, që është duke u bërë nga ministria, të cilën ajo e drejton, me synim të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.
Ajo i përmendi edhe Fondin për Garanci Kreditore, ku deri më tani janë lëshuar 63 kredi në kuadër të këtij fondi. Po ashtu, ministrja Bajrami përmendi edhe përkrahjen e bizneseve në pjesëmarrje nëpër panaire brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrje e cila ka ndikuar që kompanitë kosovare të nënshkruajnë kontrata për eksport të produkteve të tyre në tregjet e huaja. Ajo i injoftoi kompanitë se MTI, përmes KIESA-s, do ta bëjë publik së shpejti edhe programin e pjesëmarrjes nëpër panaire për vitin 2017.
Ministrja Bajrami, gjithashtu i njoftoi bizneset edhe për projektin e Certifikimit të Produkteve, që do t’ua lehtësojë produkteve kosovare qasjen në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ministrja Bajrami bëri të ditur para afaristëve edhe për eliminimin e burokracisë për lehtësimin e marrjes së lejeve dhe licencave.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, bëri një njoftim gjithëpërfshirës rreth nismave që janë duke u ndërmarrë në Politikat Fiskale, përkatësisht pakon e re fiskale, që do t’u krijojë lehtësira dhe mundësi në zhvillimin e bizneseve.
“E para është zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatami doganor, pastaj masa e dytë është heqja e normës së akcizës që përdoret për qëllime të prodhimit dhe masa e tretë që mendoj se është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi i konsumatorit është ndryshimi dhe plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar të TVSH-së…”, ka thënë Hoti.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, gjatë fjalës së tij përshëndetëse foli rreth aktiviteteve të ndërmarra në komunë si dhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në aspektin e krijimit të ambienti të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.
“Nuk ka ngjarje më të mirë për t’i përmbyllë aktivitetet e fundvitit se sa kjo konferencë me bizneset, e cila lidhë komunikim të drejtpërdrejt. Prezenca e dy ministrave, Bajrami e Hoti, tregon interesimin që drejtpërdrejt që të komunikojnë me ju edhe për pakot dhe lehtësimet fiskale që qeveria ka ndërmarrë përmes Ministrisë së Financave, sikurse edhe për logjikën e ndërtimit të Partneritetit Publiko Privat që Komuna e Gjilanit është në shpallje të ofertave, e mbi të gjitha për lidhshmërinë që e kemi me ATK-në, Doganën dhe me institucionet tjera që janë sot këtu”, tha ai.
Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, prezantoi aktivitetet e agjencive dhe departamenteve të cilat veprojnë në kuadër të MTI-së dhe që janë në shërbim të biznesit.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, kurse nga ana e përfaqësuesve institucionalë dhe njëherësh u theksua mbështetja e vazhdueshme, si dhe nismat që janë duke u ndërmarrë nga institucionet qendrore dhe lokale në përkrahjen e sektorit privat.
Në fund të konferencës u shpallën ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Gjilanit: Top Ndërmarrja e Mesme më konkurrente e vitit u shpall kompania “Banja e Kllokotit” sh.p.k.; Top Ndërmarrja e Vogël “Interplast” sh.p.k; ndërsa Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja Qendra për aftësim profesional “Britannica LC”.