Pakoja Fiskale II mbledh në Prizren bizneset dhe Qeverinë

Prizren | 14 Pri 2017 | 14:55 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Isa Mustafa i shoqëruar nga ministri Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri, Ramiz Kelmendi, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, si dhe  përfaqësues të shumtë institucionalë sot kanë mbajtur një takim me bizneset e regjionit të Prizrenit për të diskutuar më afër për masat që do të merren me Pakon Fiskale II.

Në këtë takim u tha se kjo pako do të përmirëson ambientin e të bërit biznes, si dhe do t’i kontribuon zhvillimit ekonomik, që sipas tyre është synimi themelor i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Mustafa: Do t’i mënjanojmë barrierat e bizneseve vendëse

Kryeministri Mustafa tha se bizneset kosovare kanë filluar të depërtojnë edhe në tregun e jashtëm, andaj kanë ardhur të mësojnë se me cilat vështirësi po ballafaqohen në mënyrë që t’i menjanojnë ato.

“Kemi biznese që jo vetëm në vend, por edhe jashtë kanë tregua suksese dhe ne jemi të interesuar të diskutojmë se si mund të shkojmë edhe më tej në mënyrë që të barazohemi me ekonominë si brenda dhe jashtë dhe si të gjejmë mënyrat më të mira se si mund të kemi punësim produktiv dhe t’i zgjidhim të gjitha problemet përmes zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Mustafa në vazhdim i njohu bizneset me ndryshimet në politikat fiskale.

“Ne kemi bërë disa ndryshime në politika ekonomike dhe fiskale duke diskutuar bashkë me ju dhe ministritë. Në vitet e kaluara kemi ndërmarr edhe masa ligjore duke i falë borxhet bizneseve. E kemi një sektor bankarë që është duke u bërë më i përshtatshëm për bizneset”, tha Mustafa.

Mustafa tha se Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave mbeten sfida, por siç tha ai këto dy tema nuk ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të vendit.

“E di që regjimi i vizave është një çështje që duhet të kalohet për shkak që ajo na e mundëson lëvizjen e lirë dhe në këtë mënyrë qasja në tregun evropian është e vështirë pa viza dhe në këtë mënyrë krijohet pabarazia”, tha ai.

Objektiva kryesore e Qeverisë sipas Mustafës është që produktet vendëse të jenë konkurrente dhe të kenë lëvizjen e lirë brenda dhe jashtë vendit.

Hoti: Nga Pakoja Fiskale I përfituan bizneset dhe qytetarët

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se gjatë këtyre dy vjetëve e kanë ndërtuar një dialog duke adresuar rekomandimet që janë dhënë nga bizneset.

Ai tha se me Pakon e Parë Fiskale, kanë arritur të promovojnë zhvillimin ekonomik në aspektin social, duke ulur pragun e TVSH-së dhe disa masa tjera fiskale.

“Kemi ulur çmimet e arkave fiskale duke na mundësuar neve që të kërkojmë nga bizneset që të fiskalizohen. Falja e borxheve ka qenë aspekti tjetër duke falur mbi 400 milionë euro. Jemi shpallur qeveria më e suksesshme”, tha ai.

Sipas tij nga kjo pako bizneset dhe qytetarët përfituan shumë.

“Kemi lehtësua procedurat e zhdoganimit dhe reforma të tjera . Gjithashtu edhe administrata tatimore ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm vitin e kaluar. Bizneset kanë përfitua  47 milionë  lirime. Rreth 21 milionë euro kanë përfitua qytetarët nga zvogëlimi i TVSH-së”, tha Hoti.

Ai foli edhe për masat e Pakos Fiskale II, duke thënë se përmes saj do të lirohen nga tatimi doganor të gjitha mallrat që përdoren si lëndë e parë.

 Gërxhaliu: Ministri Hoti meriton duartrokitje

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu këtë takim e vlerësoi të rëndësishëm, duke thënë se po dëshmohet se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet i Qeverisë.

“Jemi dëshmitarë që edhe përkundër agjendës politike, ekonomia po gjen vend dhe falë kësaj kemi edhe një rritje ekonomike. Jemi këtu që bashkërisht të gjejmë modalitete të pranojmë rekomandime në funksion të avancimit të sektorit privat dhe të avancimit të prodhimit vendor”, tha Gërxhaliu.

Ai lavdëroi ministrin Hoti për gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë ngushtë dhe të marrin rekomandimet nga bizneset.

“Në qoftë se dikush e meriton duartrokitjen është gatishmëria e ministrit Hoti për të na dëgjuar. Përkushtimi për zhvillim nuk ka alternativë”, tha ai.

Të ngjashme