Pal Lekaj: Veprimi i zyrtarit të lartë amerikan, dëshmi se Kurti po e rrezikon seriozisht raportin me SHBA’në

Prishtinë | 08 Qer 2023 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj thotë se veprimet e Kryeministri Kurti dhe Qeverisë së tij po e rrezikojnë seriozisht raportin e Kosovës me aleatin kryesorë, SHBA’në.

Dëshmi për të këtë, sipas Lekajt, është edhe shtyrja e vizitës në Kosovë e Ndihmës-sekretarit të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

“Anulimi i vizitës në vend nga ana e Ndihmës-sekretarit të Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, z. Todd Robinson, mbështetës i madh i Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë në vend, është dëshmi e qartë se veprimet e Kurtit dhe qeverisë se tij po e rrezikojnë seriozisht raportin me aleatin kryesor të shtetit tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Lekaj në një bisedë për gazetën online Reporteri.net.

“Arritjet tona deri më sot, në të gjitha etapat, që nga përpjekjet për liri e në fazën e shtetndërtimit, do të ishin të paimagjinueshme pa rolin udhëheqës të ShBA-së”, thekson deputeti i AAK’së.

“Kurti dhe njerëzit e tij duhet ta kuptojnë se garantues i sigurisë nacionale janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa më herët që reflektojnë, e ndalin dëmin që po ia shkaktojnë vendit”, shtoi Pal Lekaj.

Të ngjashme