Palestina shpall fundin e bashkëpunimit me Izraelin dhe ShBA-në në fushën e sigurisë

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Lideri palestinez, Mahmoud Abbas, e ka shpallur fundin e bashkëpunimit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë, duke e përmendur si arsye rrezikun e aneksimit të disa pjesëve të Bregut Perëndimor nga Izraeli.

“Organizata Palestineze për Çlirim dhe shteti i Palestinës nga sot janë të liruar nga përgjegjësia e marrëveshjeve dhe mirëkuptimeve me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit dhe nga të gjitha zotimet e bazuara në këto marrëveshje dhe mirëkuptime, përfshirë ato në fushën e sigurisë”, tha Abbas.

Presidenti i Autoritetit Palestinez më parë disa herë kishte kërcënuar se do ta merrte një vendim të tillë. Organizata Palestineze për Çlirim që në vitin 2018 kishte votuar për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara dhe ia kishte lënë në dorë Abbas-it vendimin për zbatimin e atij vendimi.

Sipas disa raportimeve nga Izraeli, zyrtarët palestinezë të sigurisë janë urdhëruar që t’i ndërpresin kontaktet me homologët e tyre izraelitë. Megjithatë, zyrtarët palestinezë duhet të koordinohen me zyrtarët izraelitë edhe për lëvizjet brenda Bregut Perëndimor.

Deklarata e Abbas-it erdhi në kohën e krijimit të një qeveri të re në Izrael, e cila është duke e shqyrtuar aneksimin e disa zonave në Bregun Perëndimor, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme