Kryetari i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, njoftoi se Palestina i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Vendimi erdhi vetëm disa ditë pas prezantimit të planit të paqes në Lindjen e Mesme nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti palestinez e bëri të ditur këtë zhvillim gjatë një fjalimi të gjatë në një takim të Ligës Arabe në kryeqytetin e Egjiptit. Ai gjithashtu e kundërshtoi planin e Shtëpisë së Bardhë për zgjidhjen e konfliktit me Izraelit dhe Palestinës.
Sipas këtij plani, palestinezët do të kishin të drejtë të vetëvendosjes në disa pjesë të Bregut Perëndimor, ndërsa Izraelit do t’i njihej sovraniteti në vendbanimet e Bregut Perëndimor.
Samiti i ministrave të jashtëm të vendeve arabe në Kajro u mbajt me kërkesën e palestinezëve, të cilët e kundërshtuan fuqishëm planin amerikan, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.
“Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë zgjidhje. Nuk do ta regjistroj në historinë time se e kam shitur Jerusalemin”, tha Abbas.
Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë ende nuk kanë reaguar ndaj vendimit të palestinezëve për ndërprerjen e marrëdhënieve me këto dy vende.