Avokati kosovar, Dastid Pallaska, ka reaguar ndaj emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, pasi ky i fundit në një njoftim për takimin me zv.kryeministrin dhe ministrin për dialog, Besnik Bislimin, s’ka përmendur fare emrin e Kosovës.
Pallaska thotë se është e pabesueshme që Lajçak është aq i njëanshëm dhe se si Qeveria e Kosovës nuk reagon përballë një “përbuzje” të tillë ndaj zyrtarëve të shtetit të Kosovës.
“E pabesueshme njëanshmëria e Miroslav Lajçakut kundër Kosovës dhe heshtja e Qeverisë karshi përbuzjes së zyrtarëve të saj dhe shtetit tone”, ka shkruar Pallaska.
Ai thotë se Lajçak nuk është shkëputur nga politika e jashtme sllovake, edhe përkundër faktit që është si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.
“Duket se Zt. Lajçak nuk është shkëputur plotësisht nga politika e jashtme e shtetit të tij, Sllovakisë, në krye të së cilës ishte edhe vet dhe e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka vazhduar Pallaska.
Avokati kosovar thotë se kjo është hera e dytë kur Lajçak bën veprime të tilla, fillimisht me hartën e Kosovës si pjesë të Serbisë.
“Përderisa skandali me hartën në zyrën e tij, ku Kosova ishte paraqitur si krahinë e Serbisë, u cilësua si gabim i pafajshëm, nuk ka asnjë arsyetim për mos-përmendjen e emrit të shtetit të Kosovës në deklaratën e Zt. Lajçakut për takimin virtual me Zëvendës Kryeministrin e vendit”, thekson Pallaska.
Ai thotë se këto veprime të Lajçak nuk mund të jenë të rastësishme, meqë po ndodhin njëra pas tjetrës.
“Dy gabime të njëpasnjëshme për të njëjtën çështje nuk mund të jenë as koincidencë dhe as lëshime të pafajshme. Përkundrazi, përsëritja e gabimit është vendim më shumë se lëshim”, shprehet Pallaska.
Ai në fund thotë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë llogari nga BE’ja për veprimet e Lajçak dhe të mos e pranojë si ndërmjetësues në dialog.
“Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj llogari nga Bashkimi Evropian për këto veprime tendencioze fë Zt. Lajçak dhe nuk duhet ta pranojë atë si ndërmjetësues të “paanshëm” në procesin e dialogut me Serbinë”, përfundon Pallaska.