Palmer në Prishtinë, Kurti jashtë vendit

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 21:17 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, do të qëndrojë nesër në Kosovë për takime zyrtare me liderë shtetërorë. Megjithatë, ai s’do të mund ta takoj kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Institucionet shtetërore nesër do ta presin zyrtarin e lartë amerikan, i cili ka arritur sot në Prishtinë.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka njoftuar që takimi mes Hashim Thaçit dhe Palmerit do të ndodhë prej orës 13:30.

Palmer, sipas një njoftimi të Ambasadës amerikane në Prishtinë, do të mbajë edhe një fjalim para pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe studentëve në objektin e Bibliotekës Kombëtare prej orës 15:00.

“Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, do të flasë para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Pas fjalimit, ai do të përgjigjet në pyetjet nga ky publik. Ngjarja është e paraparë për orën 15:00, të premten”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Megjithatë, Palmer nuk do të mund të takohet me kandidatin për kryeministër nga partia e parë e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurtin.

Gazeta Express mëson se Kurti është jashtë vendit dhe nuk do ta ketë të mundur takimin me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor.

Zyra e Vetëvendosjes akoma nuk ka dhënë detaje se ku gjendet lideri i tyre dhe sa do të zgjasë udhëtimi i tij.

Kurti javën e kaluar e ka përmbyllur mes shumë takimesh në Shqipëri.

Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, pritet që të formojnë qeverinë e re pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ’ja. VV po negocion për të lidhur koalicion me LDK’në. Takimet mes grupeve punuese të këtyre grupeve për të përafruar programin e përbashkët qeverisës kanë filluar. Qeveria e re pritet të ketë sfida të mëdha para vetës, e njëra nga to është edhe dialogu me Serbinë.

Dialogu është ligjërisht i obligueshëm nga BE’ja dhe që një kohë është drejtuar nga zyrtarë të bllokut. Megjithatë, pas një ngecje të gjatë kohore në këtë dialog është përfshirë edhe SHBA’ja. Palmer pritet të ketë një rol në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve, së bashku me të dërguarin special të SHBA’së për dialogun me Serbinë, Richard Grenell.

Të ngjashme