Pamje të rënda nga “apokalipsi” brenda spitaleve të Italisë

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Kamerat kanë mundur të hyjnë në brendësi të spitalit të Bergamos i cili ka marrë nofkën “Apokalipsi”. Dalin për herë të parë pamjet e pacientëve dhe mjekëve që luftojnë për të mbajtur në jetë të sëmurët me koronavirus i cili ka marrë mijëra jetë njerëzish në të gjithë vendin.

Skenat e kaosit në brendësi të spitalit tregojnë përpjekjet e vështira të mjekëve në një nga spitalet më të mira të Italisë. Personeli duket që bën gjithçka mundet për të mbajtur sa më shumë pacientë nën jetë, por nuk mungojnë edhe shenjat e dorëzimit për shkak të fluksit mbi çdo kapacitet të planifikuar.

Këto pamje duhet të bëhen një leksion edhe për vende të tjera për të parë se çfarë do të thotë kur gjërat shkojnë keq. Pamjet tregojnë personat e intubuar dhe që po qëndrojnë në jetë me frymëmarrje nëpërmjet aparaturave.

Vetë mjekët dhe infermierët e kanë të vështirë të komunikojnë me njëri – tjetrin për shkak të veshjeve të tyre mbrojtëse, por edhe nga zhurma e shumë aparaturave në të njëjtën dhomë. Pamjet janë xhiruar në repartin e urgjencës të spitalit. Në Itali shifrat e mortalitetit kanë arritur një spirale që nuk po ndalet. Në spitale zhgënjimi është i madh për shkak të rasteve të shumta të vdekjeve. Të gjitha spitalet në veri të Italisë janë të stërmbushura. Morgjet gjithashtu.

Autoritetet nuk mundën të përballojnë varrimet dhe kërkuan ndihmën e ushtrisë për të transportuar arkivolet. Viktimat e kanë kaluar numrin 3400 duke u bërë më shumë se në Kinë e cila ka një popullsi 22 herë më të lartë se Italia.

Kur e pyesim dr. Roberto Cosentinin nëse Covid-19 është njëlloj si gripi ai përgjigjet prerë: “Jo, është absolutisht një gjë tjetër”. Ajo që ky virus godet më së shumti janë mushkëritë.

“Çdo ditë shohim 50 deri në 60 pacientë që hyjnë në dhomën tonë të urgjencës me pneumoni dhe shumica e tyre janë aq rëndë sa që kanë nevojë për nivele shumë të larta të FIO2 ose oksigjen” – tha ai.

Spitalet e Lombardisë janë nga më të përparuarit në Europë, por kjo është një nga zonat më të prekura jo vetëm në Itali, por edhe në kontinent.

Anesteziologu Dr. Lorenzo Grazioli thotë: “Ajo që do të sugjeroja është thjesht mbyllja e gjithçkaje me qëllim që asnjë vend të mos arrinte në këtë situatë që është shumë e vështirë për ta përballuar. Nuk jam ndier në këtë mënyrë asnjëherë në jetën time. Jam një profesionit në këtë punë, por asnjëherë nuk e kam përjetuar diçka të tillë.

Kam parë në punën time shumë njerëz që humbin jetën, por në këtë mënyrë kur njerëzit po vdesin pa marrë dot asnjë medikament të sigurt është e rëndë. Jemi 100 anestezistë në këtë spital dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën edhe pse ndoshta nuk është e mjaftueshme” – tha ai.

Ndryshe nga vende të tjera, Italia po bën mijëra testime çdo ditë, por gjithsesi rastet e vdekjeve me ata të shëruarit po ecin ende krah për krah njëra – tjetrës.

Të ngjashme