Që kur pat filluar lufta në Ukrainë pata shkruar se nëse kjo luftë për pushtimin e këtij shteti nuk shkon sipas projeksioneve të Putinit dhe klikës së tij ngushtë, si dhe pritjeve të shoqërisë ruse, atëherë kjo ngjarje mund të shënojë edhe fundin e pushtetit të Putinit. Por ky fund nuk do te thotë se domosdoshmërisht do të rezultojë në ndryshime demokratik. Përkundrazi, forca edhe më të errëta mund ta zëvendësojnë atë. Në këtë kontekst, e shoh rrebelimin që e ka nisur grupi paramilitar Wagner, i drejtuar nga ish-kuzhineri i Putinit Yevgeny Prigozhin.
Këtë parashikim e pata bërë duke u nisur jo nga ndonjë mani profetike, por nga vet historia e Rusisë. Regjimet në Pallatet e Kremlinit janë përmbysur vetëm pas humbjeve në luftërat që ishte involvuar ai shtet. Kështu humbjet në Luftën e Parë Botërore ndikuan në përmbysjen e regjimit carist në Rusi. Humbjet ushtarake dhe ekonomike në Afganistan ndikuan në dobësimin e brendshëm të Bashkimit Sovjetik dhe i hapën rrugën kolapsit të Regjimit të Kuq. Por ka ndodhur edhe që revoltat e brendshme të kenë dështuar sikurse pas disfatës së turpshme që kishte pësuar Rusia në luftë kundër Japonisë. Regjimi carist atëbotë ia doli t’i shtyp pakënaqësitë dhe ta restaurojë veten edhe për më shumë se një dekadë.
E tillë është natyra e këtyre regjimeve dhe shoqërive. Ato kolapsojnë jo për shkak të luftërave të padrejta pushtuese dhe krimeve që i bëjnë ndaj tjerëve. Por pse nuk i realizojnë deri në fund premtimet e tyre. Prandaj, ato nuk mund të prodhojnë forca të brendshme demokratike. Sepse ata jetojnë vetëm ne ndjenjën e resantimantitit psikologjik dhe social. Mbi këtë psikozë kolektive e glorifikoj rolin e tij heroik edhe Putini. Për të revizionuar “katastrofën gjeopolitike” që e kishte shkaktuar sipas tij, fundi i Luftës së Ftohtë për Rusinë. Nuk është e rastësishme se pse shoqëria ruse deri më tani ka prodhuar liderë sikur se Ivani i Tmershëm, Lenini, Stalini, e deri te Putini, mbase nesër Yevgeny Prigozhin, por kurrë burrështetas sikur se Thomas Jefferson, Woodrow Wilson, Franklin d Roosevelt e shumë shtetarë të tjerë.
Ngjashëm sikur Serbia e Millosheviqit. Ky i fundit e humbi pushtetin jo për shkak të luftërave ndaj të tjerëve, por pse nuk i fitojë ato. Prandaj edhe në këtë shtet nuk mund të triumfojnë forcat demokratike. Por vazhdon të drejtohet nga e njëjta retorikë, mentalitet dhe kastë politike që e ka bazën në atë regjim. Sepse edhe kjo shoqëri jeton nga trauma kolektive e humbjes, e cila në vazhdimësi është në kërkim të heroit për hakmarrje e jo për kërkim falje dhe pendesë.