Kompani të ndryshme nga vendi dhe rajoni janë bashkuar në Panairin ndërkombëtar të Edukimit dhe Panairin Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit, që janë hapur sot në Prishtinë,ku edhe po prezantojnë shërbimet e tyre para qytetarëve. Për herë të parë sivjet panairit i janë bashkuar sektorët – Sporti dhe Shëndeti.
Qëllim kryesor i Panairit Ndërkombëtar të Edukimit, është informimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve rreth përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional si dhe mundësive për bursa dhe punë praktike, raporton Ekonomia Online.
Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit do të ekspozohen pika të reja turistike të shumta të cilat prezantohen nga Agjencitë Kombëtare te Turizmit si nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore dhe më gjerë.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, tha se Ulqini është i gatshëm të pres sivjet pushuesit nga Kosova.
“Të gjithë banorët e Kosovës dhe kudo që janë dua t’i falënderoj për çdo ditë që na vizitojnë. Ne jemi përgatitur që sivjet t’ju presim sa më mirë. Turizmi modern kërkon ndryshime të shumta dhe ju ftoj që t’i shihni ato që kemi bërë .Ju falënderoj që çdo vit e bëni Ulqinin qytetin më të frekuentuar”, tha ai.
Organizatori i panairit nga kompania Congress & Event Organization, Bekim Xhafa, tha se të rinjtë tanë kanë arritur majat e suksesit në botë.
Ndërsa, Donjeta Sadiku boksere dhe kampione e Evropës për të rinj tha se “sukseset tona kanë bërë që shumë vajza të reja të fillojnë të shprehin interesim të merren me sporte luftarake”.
“Besoj që edhe këtë vit do t’i sjellim medalje të tjera Kosovës”, tha ajo.
Kurse, Njomza Kelmendi që është shpallur sportistja e vitit në Bjellorusi tha se pavarësisht sfidave që kanë nuk duhet të dorëzohen përballë asaj se çka duan të arrijnë.