Pandemia nxjerr në pah vështirësitë dhe varfërinë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas

Prishtinë | 22 Nën 2020 | 09:00 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prej 27 vendimeve të Qeverisë për menaxhimin e pandemisë, vetëm një lidhet drejtpërdrejt me romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Nga një hulumtim i bërë nga “Admovere”, del se 51 për qind të nxënësve të këtyre komuniteteve në komunën e Ferizajt nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike.

Sfidat me të cilat përballen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas janë shtuar edhe më shumë gjatë pandemisë së Coronavirusit.

Pjesëtarë të këtyre komuniteteve, me të cilët bisedoi Ekonomia Online, ankohen se gjendja sociale dhe ekonomike – e keqe edhe më parë, është rënduar gjatë këtyre muajve. Ndërkohë, pandemia ka vënë edhe më shumë në pah varfërinë e tyre – përfshirë mungesën e mjeteve teknologjike për ndjekjen e mësimit në distancë.

Ekonomia Online e ka vizituar fshatin Plemetin në komunën e Obiliqit për të parë nga afër gjendjen e banorëve të këtyre komuniteteve në pandemi.

Fshatit Plemetin

Ndonëse numri i infektimeve në gjithë Kosovën është në kulm, këtu shumë pak persona kishin të vendosur maska. E kushtet higjienike janë mjaft të rënda.

Vasfije Bunjaku, pjesëtare e komunitetit rom, thotë se është e zhgënjyer me të gjitha institucionet, pasi ajo dhe familja e saj nuk pranuan ndonjë ndihmë nga Komuna apo Qeveria për tejkalimin më të lehtë të kësaj situate.

Bunjaku thotë se vetëm njëherë e kanë vizituar nga Komuna, me ç’rast i kanë dezinfektuar shtëpinë e saj, mirëpo ndihmesë tjetër nuk ka pranuar.

“S’ka ardhë kërkush hiç. Kur ka nisë virusi kanë ardhë një herë edhe ma jo”.

Sadija, me përkatësi ashkalike, po ashtu, ankohet për kushtet e vështira me të cilat përballet ajo dhe komuniteti i saj. Ajo thekson se ndihet e lënë pas dore nga institucionet gjatë pandemisë.

“Mund ta shihni në çfarë gjendje po rrnojmë. Këtu askush s’mundet me rrnu, veç neve… Kanë ardhë me dezinfektu një ose dy javë”, tha Sadija.

Edhe, Habib Gashi, i përkatësisë rome, thotë se periudha e pandemisë ka qenë e vështirë për të, pasi në fillim i është ndalë edhe ndihma sociale.

“Fillimi i parë i Covid-19 që ka qenë në Republikën tonë, mu ma kanë ndalë socialin për shkak të moshës së fëmijës edhe nuk kam marrë për katër muaj radhazi. Unë e kam edhe shoqen pak të sëmurë, kështu që kam hyrë në program për të sëmurit për shoqen. I kemi rregullu, por është dashtë të presim pak”, tha Gashi.

Habib Gashi, banor i fshatit Plemetin

Vendimet e Qeverisë gjatë pandemisë, nuk “prekin” komunitetet

Në një raport të organizatës joqeveritare “Admovere”, thuhet se prej 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19, vetëm një vendim lidhet drejtpërdrejt me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Aulonë Memeti, autorja e këtij studimi, thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK), nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë te këto komunitete.

“‘Admovere’ ka zhvilluar një hulumtim i cili ka pasur për qëllim të analizojë vendimet e Qeverisë, masat e ndërmarra me theks të veçantë tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas në tri komuna të Kosovës: Ferizaj, Fushë-Kosovë dhe Lipjan. Kjo, duke pasur parasysh që grupet e margjinalizuara veçse gjenden në një situatë më të disfavorshme, qoftë socio-ekonomike, qoftë shkaku i mungesës së qasjes në shërbime të mira shëndetësore, në shkollim të mirëfilltë, e kështu me radhë. Ne e kemi parë të nevojshme të këqyrim se çka po bëhet dhe a po merr Qeveria dhe institucionet përkatëse masa për lehtësimin sadopak të gjendjes për këto komunitete”, tha Memeti për Ekonomia Online.

Aulonë Memeti, nga organizata joqeveritare “Admovere”

“Nga gjithsej 27 vendime të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19, vetëm një vendim lidhet drejtpërdrejt me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas. Një gjetje tjetër ‘interesante’ ka qenë fakti që Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë të dhëna mbi përhapjen dhe menaxhimin e pandemisë te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas”.

“Kur kemi kërkuar qasje në dokumente publike, statistika për këto komunitete, atëherë përgjigja ka qenë se ne nuk diskriminojmë në këtë formë dhe nuk i kemi ato të dhëna… Ne vlerësojmë që Ministria dhe Instituti duhet të kenë të dhëna me sa më shumë filtera, në bazë të gjinisë, grup-moshave dhe patjetër edhe për grupet e margjinalizuara, në mënyrë që me ndërmarrë masa dhe m’i ndihmu këto komunitete”, shtoi ajo.

Memeti thotë se në tri komunat për të cilat është bërë raporti, ka pasur vazhdimisht dezinfektime dhe gjithashtu familjet kanë pranuar pako higjienike. Mirëpo, sipas saj, këto nuk mjaftojnë. “Duhet të bëhet më shumë për këto komunitete duke marrë parasysh se shumë prej tyre jetojnë në kushte të këqija”.

Admovere: Në Ferizaj, 51 për qind e nxënësve të komuniteteve nuk e ndoqën mësimin në distancë

Krahas vështirësive ekonomike, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas u përballën edhe me mungesën e mjeteve teknologjike për përcjelljen e mësimit online.

Val Berisha, përfaqësues i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në fshatin Plemetin, tha se kanë kërkuar nga Komuna që t’ju sigurohen disa laptopë apo tabletë, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të përcjellin mësimin online.

“Edhe komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas janë përbërës të shtet-ndërtimit të Kosovës, edhe fëmijët tanë po ashtu kanë një e ardhme. Faktikisht e kanë pasur vështirë pasi duke marrë parasysh se gjendja socio-ekonomike e tyre është mjaftë e dobët, kam propozuar si në Komunë, si në Drejtori të Arsimit, që sado-kudo me shpërnda ndonjë laptop apo ipad tek nxënësit që kanë kushte specifike”.

“Kanë pasur vështirësi. P.sh. kemi pasur raste kur një familje ka pasur internet, janë bërë bashkë dy-tri familje me një telefon edhe e kanë ndjekur bashkë mësimin online. Komuna ka premtuar se do të na dhurojnë laptopë, por deri më tani s’kemi marrë. Kështu edhe mësimdhënësit kanë pasur probleme të shumta”, tha Berisha.

Val Berisha, banor i fshatit Plemetin

Ndërsa, nga hulumtimi i bërë nga “Admovere”, del se 51 për qind të nxënësve të këtyre komuniteteve në komunën e Ferizajt nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë.

“Në komunën e Ferizajt, nga 828 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjjiptas 425 ose 51% nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë. E kjo është një e dhënë tjetër që tregon vështirësitë për qasje, qoftë për mungesë të laptopëve, tabletave apo smartphonave. Në një situatë të tillë kur i gjithë vendi është përballur me një krizë mjaft të madhe, duhet me marrë me mend sesi ka qenë situata për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas”, shprehet Memeti për Ekonomia Online.

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka treguar se kanë krijuar disa shtabe për t’u kujdesur dhe për t’iu qëndruar afër këtyre komuniteteve gjatë kohës së pandemisë.

“Aktualisht jemi duke vlerësuar situatën, domethënë pas periudhës në cilën ne kemi kaluar. Tremujori i parë ka qenë jashtëzakonisht i vështirë. Pas lirimit të masave, sigurisht që edhe për neve ka qenë më lehtë pak, sepse njerëzit kanë arritur të sigurojnë të ardhura përmes formave të veta. Jemi duke u marrë, duke i identifikuar eventualisht rastet nëse ka të prekur. Ne kemi krijuar disa prej shtabeve të komunitetit. Në secilën komunë kemi persona që kujdesen dhe janë afër komunitetit. Gjendja në përgjithësi është stabile. Kemi raste të identifikuara nga Covidi dhe jemi duke iu qëndruar afër duke i identifikuar të gjitha problemet me të cilat ata po ballafaqohen”, tha deputeti Berisha, për Ekonomia Online.

Veton Berisha, deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane

Berisha theksoi se zotimi i Qeverisë për ndarjen e dy milionë eurove për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas është i mirëseardhur, mirëpo nuk është i mjaftueshëm për zgjidhjen e problemeve të shumta të këtyre komuniteteve.

“Është premtuar për komunitetet një shumë prej dy milionë eurove; është zotuar. Është një fond i cili është planifikuar të shpërndahet përmes Zyrës së Kryeministrit për Komunitetet. Ata në formë ligjore kanë arritur të hapin konkurse edhe njerëzit kanë kandiduar, organizata e individë”.

“Megjithatë nuk është një fond i cili do të zgjidhë problemet e komunitetit, sepse komuniteti egjiptian ka nevoja të tjera prej asaj që është planifikuar dhe ne jemi duke bërë përpjekje me secilën ministri t’i zgjidhim problemet e tyre të shumta”, tha ai.

Në Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40 mijë rom, ashkali e egjiptas.

Qeveria e Kosovës ka shpërndarë një shumë prej 1.7 milion euro, si mbështetje për komunitetet joshumicë, ndërsa, deri në fund të dhjetorit të këtij viti, planifikon t’i shpërndajë edhe 2 milionë euro për këto komunitete për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Të ngjashme