Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka kërkuar që rishikimi i buxhetit të bëhet sa më shpejt.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se ende nuk janë bërë pagesat e pjesës së parë nga Pakoja Emergjente për të gjitha kompanitë të cilat i kanë plotësuar kushtet.
Sipas tij, këto pengesat që tani po i bënë Kuvendi në mosmiratimin e rishikimit të buxhetit dhe një pjese të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare po e vështirësojnë implementimin e pakos.
“Realisht nuk është përfunduar as pjesa e parë e pakos emergjente për të gjitha kompanitë që kanë aplikuar. Jam duke folur për kompanitë të cilat i kanë plotësuar kushtet dhe poashtu edhe për pjesën e dytë dhe për pjesën e qirave ende nuk ka asnjë sinjal që kur do të mund të ekzekutohen”.
“Këto pengesat që tani po i bënë Parlamenti në mos miratimin e rishikimit të buxhetit dhe një pjese të marrëveshjeve financiare, ndërkombëtare po e vështirësojnë pjesën e pakos emergjente dhe po dërgojnë sinjale negative për të ardhmen duke e ditur që pjesa e rimëkëmbjes ekonomike varet pikërisht nga marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në funksion apo në përkrahje të kësaj faze”, shtoi ai.
Tutje, ai thotë se shumica e bizneseve nuk po arrijnë të qarkullojnë më shumë se 50%, raporton EO.
Sipas tij, shpresa e vetme mbetet Pakoja e Rimëkëmbjes për të dalë nga kjo gjendje të cilën nuk e kemi pasur që nga paslufta.
“Për sektorin privat është gjendje jo e lehtë, një gjendje të cilën nuk e kemi pasur që nga paslufta, komplet një situatë e panjohur. Realisht edhe pse janë hapur pjesa më e madhe e bizneseve dhe një pjesë tjetër po pritet të hapen pas vendimeve të fundit të Qeverisë. Nëse e krahasojmë qarkullimin e këtij viti në raport me vitin e kaluar nuk e tejkalon më shumë se 50%”.
Rukiqi tha se edhe kur është dizajnuar pakoja emergjente nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore.
Ai tregoi pasojat sa i përket mungesës së buxhetit të cilat do ta shkatërrojnë ekonominë e vendit.
“Edhe kur është dizajnuar Pakoja Emergjente nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore. Ne edhe atëherë kemi bërë thirrje që të gjithë të mobilizohen pozitë dhe opozitë të ulen në parlament dhe të diskutojnë se cila është rrugëdalja më e mirë në mënyrë që të mos pësojë sektori privat”.
“Ne jemi duke folur për një pjesë të mirë të qytetarëve të këtij vendi të cilët e kanë të varur vendin e punës nga masat që do t’i ndërmarrin institucionet e vendit dhe këtu nuk ka përgjegjësi vetëm Qeveria, por edhe Parlamenti i cili duhet të marrë vendime në dobi të qytetarëve”.
“Duhet të sigurohen mjetet nga fondet ndërkombëtare një pjesë po normalisht edhe nga burimet e brendshme duke përfshirë edhe buxhetin e brendshëm, por të tërhiqet edhe një pjesë e mirë e trustit penisonal atë 10% . Pasojat janë të tilla që do ta shkatërrojnë ekonominë e vendit”, shtoi ai.