Panduri: Pritet të ketë rinkonfigurim të forcave politike në Kuvend, VV-ja ishte në pikën më të ultë në shtator 2022

Prishtinë | 26 Jan 2024 | 22:04 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Ermal Panduri parashikon se do të ketë rinkonfigurim forcash politike në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve që pritet të mbahet gjatë këtij viti, ose në fillim të vitit 2025.

Në “Blic Interview me Astrit Gashin” , analisti Panduri tha se më nuk mund të jenë numrat e njëjtë siç kanë qenë me 14 shkurt 2021.

“Për shkak se të gjithë e dinë se do të ketë rinkonfigurim forcash në Kuvendin e Kosovës, ambicia do të jetë për të qenë i dyti dhe për t’u sfiduar, për shkak se matematika sot ka lëvizur në Kosovë. Më nuk janë numrat e njëjtë siç kanë qenë me 14 shkurt të 2021, të gjithë e dinë. Subjekte politike kanë lidh koalicion nga frika e rrëzimit në prag, mos të harrojmë që më parë kjo nuk ka qenë diskutabile. Kemi një Lidhje Demokratike të Kosovës, që bazuar në punën në terren, vazhdon të theksojë që ka dyfishim të votës. Ambicia iu ka shtu Partisë Demokratike të Kosovës në mënyrë të vazhdueshme, megjithatë e dimë që ekzistojnë probleme të brendshme brenda kësaj partie, megjithatë duke e patur parasysh rezultatin e zgjedhjeve lokale, PDK-ja, mendon se mund të mobilizojë votë nisur nga strukturat e krijuara tashmë, nëndegë ku pikërisht qeveris në nivel komunal. PDK-ja del më ulët, diku 5% në sondazhe, i bie që mund të ketë rritje në proces zgjedhor. LDK-ja është duke punuar jashtëzakonisht brenda strukturave të veta që të organizojë radhët, është subjekti që udhëheqë me më së shumti komuna”, tha Panduri.

Ai ka rikujtuar kohën kur VV-ja ka qenë në pikën më të lartë dhe atë më të ulten, gjatë qeverisjes së saj.

“Nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit të 2021 deri më dhjetor 2023, LVV-ja, pikën më të lartë e ka patur 49.3% në matjet e qershorit të 2023. Eshtë pikërisht koha kur dërgohen kryetarët e komunave nëpër objektet komunale, pika më e dobët ndonjëherë e Vetëvendosjes nga përfundimi i zgjedhjeve ka qenë 37.2% dhe është koha e shtatorit të 2022 kur Kosova është përballur me mungesë të energjisë elektrike gjatë muajit gusht dhe për herë të parë ka qenë e pakuptimtë duke patur parasysh që Kosova më herët prodhonte rrymë dhe kishte tepricë të energjisë elektrike gjatë sezonit të verës”, deklaroi Panduri.

Të ngjashme