Pantina: Kurti s’e dëgjon as Dejona Mihalin, këshilltarët veç numër

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 08:34 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po vepron  njëjta sikur se qeveritë e kaluara, të cilat ai më herët i ka kritikuar, duke e lidhur këtë me numrin e këshilltarëve.

Ajo në një intervistë për Ekonomia Online, tha se pavarësisht se Kurti ka një numër të madh të këshilltarëve, ai nuk i dëgjon këshillat e tyre, sepse ai dëshiron që të ketë ushtarë të dëgjueshëm. 

Në këtë rast, Pantina theksoi se sulmet që janë duke iu bërë, koordinatores së Komiteteve në VV, Dejona Mihali, janë të padrejta, për faktin, që sipas saj, Mihali është thjeshtë një zbatuese e rreptë e politikave dhe udhëzimeve që merr nga Kurti.

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është kundër numrit të madh të këshilltarëve të cilët i nevojiten kryeministrit, ngase janë persona të emëruar politikisht.

“Nëse i shohim veprimet e Qeverisë, Kurti është duke i bërë të njëjtat veprime për të cilat ai ka kritikuar mandej edhe me mjete jo konvencionale qeveritë e më hershme. Edhe unë kam qenë kundër dhe vazhdoj me qenë kundër numrit të madh të këshilltarëve të cilët i nevojiten kryeministrit pasi ata janë persona politik të emëruar politikisht. Përderisa në Qeverinë e Kosovës ka njerëz të aftë dhe të përgatitur profesionalisht që mbajnë pozita të shërbyesve civil dhe janë ata që i zbatojnë politikat e Qeverisë”, tha ajo. 

“Nga përvoja ime dhe nga ajo çka po shohim në politikë unë nuk mendoj që Kurti dëgjon ndonjë. Të them të drejtën edhe sulmet që janë bërë disa prej njerëzve të afërt të tij dhe së fundit sulem që i bëhen Dejona Mihalit mendoj se janë të pa drejta sepse kryeministri Kurti nuk dëgjon as kënd. Ai dëshiron të ketë ushtarë të dëgjueshëm, një nga ta është zonja Mihajli. Ajo është thjeshtë një zbatuese e rreptë e politikave dhe udhëzimeve që merr nga Kurti, por nuk është ajo apo ndonjë këshilltarë tjetër i cili mund të kenë ndikim tekë vendimi që merr Kurti”, tha ajo për EO. 

Ajo tha se Qeveria Kurti ngjashëm është duke vepruar edhe me emërime të zëvendësministrave nëpër ministri të ndryshme, sipas saj, Qeveri në mënyrë të heshtur është duke emëruar vazhdimisht persona politik në Qeveri.

“Mos të harroj që ngjashëm qeveria Kurti po vepron edhe më zëvendës ministrat. Ta zëmë vetëm në Ministrin e Drejtësisë aktualisht janë tre zëvendës ministra, në mënyrë të heshtur ata po emërojnë vazhdimisht persona politik në qeveri. Për të njëjtën të cilën e kanë kritikuar në mas të madhe qeveritë e më hershme të cilat ishin edhe qeveritë me koalicioni dhe e kishin të nevojshme për mbijetesë e tyre, natyrisht jo për të mirën e qytetarëve të Kosovës, njëjtë po vepron edhe kryeministri. Ai po e shfrytëzon buxhetin e shtetit, pozita shtetërore, për ti rehatuar militantët e vetë politik, tha ajo. 

Gjatë ditës së hënë është raportuar në medie se kryeministri Albin Kurti numëron rreth 38 këshilltarë, gjë për të cilën është kritikuar shumë nga analistët politik në vend. Ne lidhje me këtë ka qenë i menjëhershme reagimi i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka demantuar raportimet se kryeministri Kurti i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Sipas tij, numri i këshilltarëve, përfshirë edhe ata të jashtëm është 25 dhe prej tyre sipas tij 8 nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

Kryeziu gjithashtu ka thënë se Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve sesa ish-kryeministri Haradinaj. Kryeziu thotë se numri i raportuar përfshinë numrin total të stafit të emëruar të kryeministrit.

Të ngjashme