Papa Françesku do të presë në një audiencë të veçantë përfaqësues të popullit shqiptar. Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të veçantë të kreut të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Majlinda Dodaj, në datë 19 Nëntor, Ati i Shenjtë Papa Françesku ka pranuar të presë në Vatikan në një audiencë të veçantë qytetare shqiptare, përfaqësues të shtetit dhe shoqërisë, të besimeve fetare në Shqipëri, intelektualë e artistë.
Nuk do të mungojë edhe kardinali i vetëm shqiptar Ernest Simoni, si dhe përfaqësuesit fetarë arbëreshë nga Kalabria dhe Siçilia. Ky takim special i përfaqësuesve të popullit shqiptar me Atin e Shenjtë, vjen në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, por dhe si një pelegrinazh i popullit shqiptar, si shenjë falenderimi nga Papa Françesku që zgjodhi pikërisht Shqipërinë, si vendin e parë për ta vizituar.
Ky takim në Selinë e Shenjtë mbledh të gjithë shqiptarët e bashkuar ashtu siç është vetë figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, simbol i unitetit dhe fuqisë së kombit që në të gjitha kohërat i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje.
Një audiencë e tillë e veçantë nga një Papë për popullin shqiptar në nderim të heroit tonë kombëtar, është bërë vetëm para 50 viteve nga Papa Pali i 6, i cili priti shqiptarët nga diaspora, por ku mungonin shqiptarët nga Shqipëria, pasi 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut e gjeti vendin tonë nën diktaturën komuniste. Pas audiencës me Papa Françeskun, artistë të famshëm shqiptarë, të cilët do të jenë të pranishëm në këtë takim historik, do të mbajnë një koncert madhështor të titulluar: “Të bashkuar në muzikë dhe në kujtim të Skënderbeut”, raporton TvKlan.
Emra të njohur të muzikës shqiptare si Inva Mula, Olen Çezari, Genc Tukiçi, Elhaida Dani, Ermal Meta, Eno Peçi dhe madje vetë artistja më e re në moshë, por më e njohura sot në skenat ndërkombëtare Dua Lipa, do të performojnë në këtë koncert ku nuk do të mungojnë edhe pjesë nga repertori i tyre dedikuar edhe vetë Papa Françeskut.
Për Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, kjo audiencë e veçantë me Papa Françeskun dhe koncerti madhështor pas tij në një nga sallat më të njohura të Romës, përmbyll edhe serinë e aktiviteteve të organizuar në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.